Mbrëmja e kaluar tronditi fshatin Zlipotik të Dragashit, ku hoxha i këtij katundi, Gazmend Terhovci, mbeti i vrarë me thikë pranë derës së shtëpisë së tij nga një bashkëfshatar.
Benjamini, djali i axhës së hoxhë Gazmendit, tha se përplasjet mes tyre nuk ishin të reja dhe se probleme kishte pasur edhe rreth një vit e gjysmë më parë. Sipas tij, ngjarja e mbrëmshme degradoi për shkak të një konflikti që lidhej me ushqimin e bagëtive.
Të lidhura
None found
“Para një viti, një vit e gjysmë kishte problem hoxha me këtë monstrumin. Ai e ka kërcënuar hoxhën që vijnë me mitraloz në shtëpi këtu, edhe hoxha e ka lajmëruar policinë disa herë, ama ata s’e kanë hap asnjë rast për këtë. Unë s’po besoj që është mirë me mend. Këtë vetëm një monstrum mundet me bë ashtu diçka. Po, për sanë ishte problemi. Hoxha e ka kosit një livadh që s’është, as ai, as hoxha s’është pronar i livadhit, sepse këtu asnjëri s’jeton, mundemi me kosit. Asnjëri s’përdor sanën, ne e përdorim. Edhe kur e ka kosit hoxha, ai ka ardhë edhe po thotë ‘sana është e jemja’. Edhe hoxha po thotë ‘s’o problem merre sanën, s’ka nevojë problem për sana me pasë”, tha Benjamini.
Ai tregoi gjithashtu se pak para sulmit, i dyshuari për vrasjen kishte qenë bashkë me të atin në një kafene pranë vendit të ngjarjes. Sipas rrëfimit të tij, të dy më pas shkuan te hoxha kinse për të biseduar, ndërsa më vonë djali dyshohet se e sulmoi nga prapa me thikë, duke e goditur 15-16 herë në shpinë.
“Ky djali edhe baba kanë dalë prej kafes bashkë. Edhe kanë ardhur këtu te hoxha. Ne si njerëz po shkojmë te hoxha me fol nëse kemi diçka problem, po flasim me hoxhën, hoxha s’po mbyll derën, as në ora 3, mundeni me ardhë te hoxha. Edhe ai ka ardhë. Pas dy minutave vetëm babai ka shkuar te kafja prapë edhe po thotë ‘shkoni këqyrni hoxhën, djali im ka bo helaç. Këqyrni çka është”. Kur kanë ardhë mjeku edhe njerëzit prej kafes, hoxha këtu… 15-16 herë në shpinë me thikë e ka goditur… Terror”, tha Benjamini për kp.
Për këtë rast, policia ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen, si edhe babanë e tij. Ky i fundit dyshohet për veprën penale “mosdhënie e ndihmës”.
I dyshuari për vrasjen e hoxhës u arrestua sot. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se në gjetjen dhe ndalimin e tij janë angazhuar disa njësi policore.
“Pas veprimeve intensive operativo-hetimore të ndërmarra pa ndërprerje nga Policia e Kosovës, është arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i dyshuari për rastin e vrasjes në fshatin Zlipotok, Dragash. Në operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit janë angazhuar njësi të ndryshme policore, duke përfshirë përdorimin e dronit për vëzhgim nga ajri si dhe njësinë policore me qen (K-9)”, tha Bytyqi.
