Kryeministri Edi Rama ka hedhur dyshime se protestat e zhvilluara kundër qeverisë mund të mos burojnë vetëm nga pakënaqësia e studentëve dhe qytetarëve, por edhe nga ndërhyrje të huaja. Si argument, ai ka përmendur një dron me eksploziv që, sipas tij, kishte si objektiv Kryeministrinë.
Të lidhura
None found
Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka kundërshtuar këtë qasje të kryeministrit, duke thënë se Rama prej kohësh i lidh protestat me ndikime nga jashtë. Sipas tij, zemërimi qytetar është shtuar, veçanërisht te studentët, ndërsa zhvillimet e fundit nuk mund të konsiderohen më thjesht protesta, por revoltë ndaj qeverisë.
Bytyçi kujton se, që prej nisjes së protestave kundër Ramës në fillim të qershorit, kryeministri ka folur vazhdimisht për një “dorë të huaj”. Fillimisht, sipas tij, Rama akuzoi Greqinë, pasi mediet greke raportuan të parat për “Revolucionin e Flamingove” kundër qeverisë shqiptare. Më pas, ai u tërhoq nga kjo tezë, ndërsa fajin e zhvendosi te iranianët, me synimin që ta përdorte këtë pretendim për t’u pozicionuar në krah të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Sipas Bytyçit, edhe kjo përpjekje nuk funksionoi dhe Rama heshti për një periudhë.
“Sot është dita e shtatë e revoltës. Ajo që po ndodh këtë javë nuk është më protestë, por revoltë, sepse qeveria dhe kryeministri nuk i dëgjuan thirrjet e protestës 135 ditëshe. Në këtë revoltë janë përfshirë sidomos studentët, të zhgënjyer nga dështimi i protestës studentore të vitit 2018. Për gjashtë ditë me radhë, Edi Rama ka folur për atë që e quan ndërhyrje të huaj. Madje ministri i Brendshëm reagoi para tij, duke deklaruar: “Ne dimë shumë më tepër nga sa po them sot”. Kjo retorikë vazhdon, ndoshta me shpresën se do të ndikojë te të revoltuarit. Por cila është e vërteta?”, është shprehur ai.
Profesori përjashton gjithashtu mundësinë që Serbia të ketë rol në protestat kundër Edi Ramës. Ai argumenton se Beogradi nuk ka arsye të punojë për rrëzimin e një kryeministri që, sipas tij, ka mbështetur më herët nisma rajonale të lidhura me Serbinë.
Bytyçi sjell si shembull vitin 1997, kur, sipas raportimeve të kohës në parlamentin serb, Serbia kishte vënë në dispozicion miliona dollarë për destabilizimin e Shqipërisë. Në atë periudhë ndërhyri edhe Greqia, pasi revolta në jug u shfrytëzua nga qarqet verioepirote me synimin për të imponuar një lloj autonomie në jug të vendit, por projekti dështoi. Sipas tij, Slobodan Milosheviçi besonte se një Shqipëri e destabilizuar do të krijonte më shumë mundësi për nënshtrimin e Kosovës. Megjithatë, Bytyçi vlerëson se destabilizimi i vitit 1997 u shndërrua në burim force për qëndresën e shqiptarëve në Kosovë.
“Të mendosh se Serbia po ndërhyn edhe sot për të mbështetur protestat kundër qeverisë së Edi Ramës është naivitet. Siç ka thënë gazetari i FAZ, Martens, Rama është kryeministri më i mirë i Shqipërisë për Serbinë që nga koha e Nikolla Pashiq, pra prej vitit 1912. Përse do të investonte Beogradi për të rrëzuar njeriun e tij në krye të ekzekutivit të Tiranës?”, ka thënë ai.
Sipas Bytyçit, gjatë këtyre 13 viteve Rama ka mbështetur nisma që, në këndvështrimin e tij, i kanë shërbyer interesave serbe ndaj Kosovës, përfshirë krijimin e Jugosllavisë së Re, ndarjen e Kosovës dhe projektin Open Balkan. Ai përmend edhe 22 prillin e vitit 2021, kur presidenti serb Aleksandër Vuçiq u bëri thirrje shqiptarëve që në zgjedhjet e 25 prillit të votonin për Edi Ramën, duke paralajmëruar se në rast të kundërt pushtetin do ta merrnin nacionalistët e Berishës. Për këtë arsye, Bytyçi thotë se nuk sheh ndonjë ndryshim që do ta bënte sot Serbinë të interesuar për largimin e Ramës.
Duke folur për faktorët e tjerë të jashtëm, Bytyçi shprehet se, nëse përjashtohet skenari i përfshirjes së Serbisë, atëherë nuk qëndron as ideja për një interes rus në trazirat e Tiranës. Ai përmend deklaratën e Aleksandër Dugin, e cila është interpretuar nga disa medie në Tiranë si mbështetje e Moskës për protestat, por sipas tij ajo ishte vetëm një konstatim. Dugin, kujton Bytyçi, është ideologu bashkëkohor i teorisë së “Botës ruse” dhe këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin.
Profesori mendon se pakënaqësia lidhet kryesisht me mënyrën se si Rama ka menaxhuar aleancat politike. Sipas tij, kryeministri ka ndërruar vazhdimisht partnerë dhe ka përdorur një aleat për t’iu afruar kundërshtarit të tij, gjithmonë me synimin për të siguruar mbështetje dhe për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Bytyçi pretendon se kjo sjellje ka krijuar kundërshtarë, por jo armiq të Shqipërisë; ata, sipas tij, janë kundër Edi Ramës.
Bytyçi shton se edhe “dinastia Soros”, të cilën e konsideron mikun më të madh të mëparshëm të Ramës, mund të jetë distancuar prej tij. Ai e lidh këtë me përpjekjet e kryeministrit për t’iu afruar rrethit të ngushtë të Donald Trump, duke thënë se Rama ka sakrifikuar marrëdhënien me Sorosin për interesat e veta politike. Sipas tij, kjo ka bërë që kryeministri të përballet njëkohësisht me Sorosin dhe me Donald Trump, i cili nuk do të mbështeste një figurë që ndryshon qëndrim sipas interesit.
“Përfundimi i sigurt është se armiku i Edi Ramës është vetë Edi Rama. Nuk nevojiten faktorë të jashtëm për të krijuar urrejtje ndaj kryeministrit të Shqipërisë. Ai është shndërruar në një figurë të urryer, sepse për 13 vite ka poshtëruar dhe përdhunuar popullin e tij. Sot është kthyer në një diktator që përpiqet të paraqitet si viktimë”, ka përfunduar Bytyçi për gazetën.






