Shqipëria do të vijojë të kërkojë me vendosmëri që Kosovës t’i jepet statusi kandidat dhe t’i hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë qëndrim presidenti Bajram Begaj e shprehu në Ohër, gjatë takimit me presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në nisje të Samitit të Procesit Brdo-Brijuni.
Gjatë takimit, Begaj e përgëzoi Shiroka-Pulën për detyrën e re dhe nënvizoi se formimi i saj akademik, së bashku me profilin politik e njerëzor, do ta ndihmojnë në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës dhe në konsolidimin e institucioneve të saj. Sipas tij, forcimi i marrëdhënieve vëllazërore me Kosovën mbetet përparësi kryesore për Shqipërinë, ndërsa bashkëpunimi dypalësh duhet të thellohet përmes rikthimit të takimeve të shpeshta të përbashkëta.
Të lidhura
None found
Presidenti shqiptar deklaroi se dy vendet duhet të bashkërendojnë përpjekjet për avancimin e agjendës së përbashkët kombëtare, ku integrimi në BE përbën një prej synimeve kryesore. Ai vlerësoi se presidentët duhet të luajnë rol bashkues dhe të përfaqësojnë me dinjitet shqiptarët në arenën ndërkombëtare.
Sa i përket rrugëtimit evropian, Begaj tha se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian. Ai vlerësoi angazhimin e Prishtinës për përmbushjen e standardeve evropiane dhe përafrimin me politikat e BE-së.

Begaj rikonfirmoi gjithashtu se Kosova është pjesë e çdo bisede që zhvillon me përfaqësues ndërkombëtarë. Ai theksoi se kërkesa për njohjen e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë njohur mbetet në agjendën e tij. Presidenti kujtoi se, që në takimin e parë në selinë e NATO-s pas marrjes së detyrës, kishte kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Aleancë, duke shtuar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë zgjerimin e njohjeve dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Për çështjen e procesit gjyqësor në Hagë, presidenti Begaj shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës, si edhe për të drejtën kushtetuese për iniciativa ligjore në lidhje me Dhomat e Specializuara, në konsultim me partnerët. Ai përsëriti qëndrimin e Shqipërisë në favor të një drejtësie të paanshme, e cila merr parasysh kontekstin historik të luftës së popullit të Kosovës për liri.
Në përmbyllje, Begaj tha se promovimi i çështjeve që bashkojnë shqiptarët, përtej zhvillimeve të politikës së ditës, është pjesë e agjendës kombëtare. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi i afërt mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe përfaqësimi i përbashkët në arenën ndërkombëtare do të vijojnë të ndihmojnë aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Samiti i Brdo-Brijunit zhvillohet në Ohër dhe organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq. Takimi pritet nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.








