Deklarata e fundit e ministres serbe Paunoviç ka shkaktuar polemika të mëdha dhe një sërë reagimesh në Kosovë, si edhe nga Bashkimi Europian. Për pasojat që kjo çështje mund të ketë në sigurinë kombëtare, eksperti kosovar i sigurisë Bedri Elezi foli drejtpërdrejt nga studioja e News24.
Të lidhura
None found
Sipas Elezit, qëndrimi i shprehur nga ministrja nuk duhet parë si rast i veçuar, pasi ai përfaqëson strategjinë dhe sjelljen e vërtetë të Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi se kjo retorikë përdoret si sinjal dhe si nxitje për grupet radikale, kriminale e terroriste që veprojnë në veriun e vendit.
Eksperti e vendosi deklaratën në kontekstin e zhvillimeve të fundit, duke rikujtuar se dy ditë më herët presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kishte dalë publikisht në mbrojtje të Milan Radoiçiçit, përgjegjësit kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.
“Kemi një lloj përqafimi të politikanëve serbë ndaj grupeve terroriste që kryen sulmin në veri. Kjo deklaratë e ministres provokoi qëllimisht reagimin ndërkombëtar, duke tentuar të motivojë strukturat paralele për të destabilizuar rendin kushtetues të Kosovës” – u shpreh Elezi.
Ai shtoi se në prapavijë të kësaj qasjeje qëndron edhe interesi i Rusisë dhe Iranit për hapjen e vatrave të reja të tensionit në Ballkan. Sipas tij, qëllimi është që vëmendja e SHBA-së dhe aleatëve të saj të largohet nga krizat e tjera globale.
Elezi kritikoi edhe reagimin e institucioneve shtetërore në Prishtinë, duke e cilësuar menaxhimin e situatës si të pamjaftueshëm. Në vlerësimin e tij, shpallja e ministres serbe person i padëshirueshëm apo paralajmërimet për kallëzime penale mbeten masa sipërfaqësore, të destinuara vetëm për “konsum politik e mediatik”.
Sipas ekspertit të sigurisë, duhej të mblidhej menjëherë Këshilli i Sigurisë Kombëtare për analizimin e situatës flukse dhe rritjen e vigjilencës së inteligjencës.
Ai kërkoi gjithashtu përgatitjen e dosjeve me prova konkrete dhe përcjelljen e shkresave zyrtare drejt shteteve të Kuintit dhe organizmave ndërkombëtarë, në vend të deklaratave në media.
Po ashtu, Elezi vlerësoi se duhet t’i drejtohet një kërkesë zyrtare NATO-s për rritjen e pranisë së saj, veçanërisht në kohën kur është përfolur për zvogëlim të forcave.
