Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka kërkuar të gjitha subjekteve politike të mos ushtrojnë presion mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe anëtarët e tij gjatë marrjes së vendimeve.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zyra e BE-së ka nënvizuar se pavarësia, paanshmëria dhe karakteri apolitik i gjyqësorit përbëjnë shtylla themelore të sundimit të ligjit, si në Kosovë, ashtu edhe në Bashkimin Evropian.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në vendimmarrje. Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian dhe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ndërkohë, KGJK-ja pritet që në mbledhjen e nesërme, të premten, të trajtojë çështjen e tërheqjes së dorëheqjeve nga gjyqtarët e komunitetit serb. Sipas rendit të ditës, pika 9 parashikon diskutimin e njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga ky komunitet lidhur me tërheqjen e dorëheqjeve.
Gjyqtarët dhe pjesëtarët e stafit në fjalë kishin paraqitur dorëheqjet në nëntor të vitit 2022.
