Baton Haxhiu rrëfen historinë e Pacollit me Putinin: Bexhoja më tha, i dhashë fuqi këtij njeriu

Gazetari dhe opinionisti Baton Haxhiu, ka publikuar edhe një shkrim autorial sot, të titulluar “Si e solli Pacolli Putinin në Moskë”, ku nga perspektiva e tij rrëfen historinë e biznesmenit shqiptar dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Haxhiu merr shkas nga lufta në Ukrainë dhe presidenti i saj, Volodomyr Zelensky për ta rrëfyer historinë e tij.
“Sa herë që zihej në gojë Putini dhe fuqia e tij, më kujtohej Behgjet Pacolli. Zelenski dhe Behgjeti kanë diçka të përbashkët në historinë ruse. E pabesueshme, por e vërtetë!”, ka shkruar Haxhiu në Albanian Post.

Në shkrimin e tij, Haxhiu thotë se Pacolli ka përcaktuar të ardhmen e Presidentit Putin. Madje tregon edhe se çfarë i kishte thënë një ditë Bexhoja, siç e quan ai Pacollin.

“Zelenski ka parashikuar të ardhmen, por me bëmat e tij, Bexhoja ka vendosur njeriun e të ardhmes: Putinin. “Nuk di a kam gabuar për historinë e botës”, më thoshte një ditë Bexhoja, por rastësisht në jetën time i kam dhënë një dorë fuqisë së këtij njeriu. Pa ditur kush ishte dhe çka do të arrinte”, shkruan tutje ai.

Haxhiu ka publikuar rrëfimin e plotë të Pacollit, të cilin e sjellim më poshtë, pa ndërhyrje:

Ishte qershori i vitit 1994.

Mbretnesha e Anglisë, prej kohësh, i kish shkruar Jelcinit, Presidentit të Rusisë, që kishte përmbysur komunizmin në Rusi me revolucion, se dëshironte të vizitonte Shën Petersburgun (Leningradin komunist) në muajin tetor.

Rusia ishte e varfër. Pa hotele të bukura dhe pa kushte që ajo, Mbretnesha, të rrinte e qetë në hapësirat e qytetit të lënë anash nga komunistët.

“Më thirri Jelcini”, më rrëfente Behgjeti.

Kryetari Jelcin kishte një hall të madh: si ta bënte një strehë të mirë për Mbretneshën? Jelcini e donte që Perëndimi të afrohej dhe ky ishte rasti. Ta sajdiste sa më mirë Mbretneshën.

Behgjeti dhe “Mabetex” në atë kohë po punonte punët më delikate të shtëpisë politike më të madhe në botë. Një ndërtesë që ishte shkatërruar nga tankset gjatë kohës kur Jelcin po përmbyste pushtetin dhe komunistët.

Behgjeti kishte udhëtuar edhe më herët në Rusi dhe në vitet ’70 dhe ’80 kishte takuar Jelcinin, atëbotë si lider komunist lokal që merrej me procesin e ndërtimit të fabrikave të reja.

Presidenti Jelcin ishte kujtuar se në një lagje aristokrate në Petersburg kishte shtëpi të bukura, por që ishin të zbrazëta dhe të shkatërruara. Ishin lënë bosh me një vendim të komunistëve, pasi kishin përzënë nga aty të gjitha familjet me nam të Rusisë Cariste.

“Do shkojmë atje dhe të shohësh a mund të bëjmë diçka”, kishte thënë Jelcin.

Me avion të shtetit kishin udhëtuar për S. Petersburg, së bashku me Presidentin Jelcin dhe njeriun më të afërt të tij, Borodin.

Rrugës për atje kishin kuptuar që kryetari i qytetit kishte hatërmbetje me Jelcinin dhe kishte zbuluar një konferencë për të ikur nga takimi. Por kishin lënë në pritje nënkryetarin e S. Petersburgut.

Të tre kishin hyrë në ndërtesën e qeverisë së S. Petersburgut dhe nënkryetari iu kishte ofruar mirëseardhje dhe kujdes.

“Si quheni ju?”, e kishte pyetur Jelcin, nënkryetarin e qytetit.

“Vladimir Putin”, qe përgjigjur ai.

“Kryetari ka shkuar për një konferencë në Evropë dhe më la porosinë që t’iu ndihmoj për të gjitha kërkesat që keni”, ia kish kthyer Putin.

Duam të shkojmë në lagjen e braktisur, të shohim çka mund të bëjmë, për t’i ofruar Mbretneshës një qetësi dhe një pritje siç e meriton.

“Ky është Behgjet Pacolli, mik imi”, fliste Jelcin, “që do të merret me gjithë ndërtimin dhe ristrukturimin e një pjese të lagjes. Me mua është edhe njeriu më i afërt i imi, Borodin”.

Në veturë ishin ulur Vladimir Putin, si shofer i veturës zyrtare, dhe Behgjet Pacolli, dhe, prapa, Jelcin me Borodin në një veturë të dytë.

“Lagjja ishte plot me drunj të gjatë”, më thoshte Behgjeti. “Ishte një mal dhe kishte mbetur e paprekur. Komunistët kishin ruajtur pronën të paprekur, por natyra kishte filluar t’ia jepte nurin e vdekjes”.

“Këto janë shtëpitë, Behgjet. Nuk duhet të më thuash që nuk bëhen. Ke tre muaj kohë që t’i përfundosh”.

Behgjetin e kishte kapluar frika e kohës.

Në ndërtim duhet kohë dhe secila pjesë e do përkushtimin e vet.

“Si të bëhej diçka që gati ishte e pamundur”, më tregonte Behgjeti frikën e tij.

“Nuk guxoja t’i thosha ‘jo’ dhe ta zhgënjeja. Kisha marrë aq shumë në ndërtim në Moskë sa dukej e pamundur të thosha jo”, më thoshtë Behgjeti.

“I thashë, që do e bëj”, tregonte Behgjeti.

Ai kishte kërkuar që Borodin të ndihmonte në logjistikë, sepse kishte prejardhje nga S. Petersburgu.
Por, jo.

Aty u paraqit një vullnetar për të ndihmuar në gjithë projektin. Ai ishte Vladimir Putin.

Rrugës duke shkuar për aeroport, Putin i kishte kërkuar që t’i bënte një nder. Ta largonte prej aty ku ishte dhe ta dërgonte në Moskë.

“Nuk e kam atë fuqi”, i kish thënë Behgjeti-Putinit. “Por, do e shikoj”.

Ai, Putin, i kish premtuar Behgjetit që do ta ndihmonte në të gjithë projektin. Ishin përshëndet me përqafim, me shpresën që Behgjeti do të fliste ndonjë fjalë të mirë për Putinin.

“Natyrisht”, tregonte Bexhoja, “se nuk e kishte pas ndër mend t’i thoshte askujt asgjë”.

Me të arritur në Moskë, derisa ishim në avion, Borodin merr një telefonatë nga motra e tij, që jetonte në S. Petersburg.

I kishin burgosur djalin për një gjë serioze. Mund të ishte përplasje bandash, apo marrje droge.

“Behgjet, e ke avionin këtu”, i kishte thënë Borodin. “Duhet të nisemi urgjent se kam një problem në familje”.

Rrugës, Borodin i tregon rrëfimin për djalin e motrës që tashmë kishte përfunduar në burg.

“Ta marrim atë mikun tonë”, i ishte përgjigjur Behgjeti. “Ndoshta kryen punë!?”.

“Unë s’e bëj dot”, kishte thënë Borodin.

Behgjet Pacolli i telefonoi Vladimir Putinit dhe i kërkoi një nder në emër dhe për Borodin.

Me të arritur atje, Vladimir Putin e kishte përfunduar çështjen dhe i kishte dhënë fund vuajtjes dhe frikës së motrës së njeriut më të fuqishëm në zyrën e Jelcinit.

“Këtu është fillimi i fuqisë së Putinit”, më thoshte Behgjeti.

Rrugës, Putin, prapë i kishte kërkuar Behgjetit t’i thoshte Jelcinit për transferim.

“Jelcin ishte njeri i rëndë për këto gjëra”, rrëfen Behgjeti, “por e gjeta rrugën t’ia hapja këtë Borodinit”.

“E bëra edhe për një arsye timen, sepse më duhej ndihma e tij në logjistikë dhe në rregullimin e gjërave me vijë shtetërore. I thashë Borodinit: ‘Putin don të vijë në Moskë’. E bëra zemrën gur, i thashë”, më thoshte Bexhoja.

“Po s’kam ku ta çoj”, i kish thënë Bexhos.

“Po bëje zëvendëskryeministër, apo një post formal”, kish propozuar Behgjeti, siç e bën me shpejtësi secili biznesmen për të rregulluar punë.

Të gjithë biznesmenët kanë një logjikë praktike. Asnjëherë nuk mendojnë për pasojat e tjetrit, vetëm kanë dëshirë të përfundojnë punë. Edhe dëshira e Bexhos për të kryer punë, me shpejtësi, kishte dhënë propozimin e lehtë.

Hiç më pak se zëvendëskryeministër, pa e çarë kokën se çka i bie dhe çfarë peshe ka ai post.

“Po janë 16 Behgjet”, i kish treguar Borodin.

Këtu nuk kishte përfunduar e tëra për jetën politike të Putinit.

Behgjeti i ishte kthyer punës dhe i duheshin tre muaj për të përfunduar strofullin e Mbretneshës.

Kush ishte njeriu që i doli në krah dhe e ndihmoi me të gjitha gjërat që i duheshin?

Më në fund, ndërtesa ishte kryer. Kishte marrë pamje të mrekullueshme. Në mesin e shtatorit, një muaj para afatit, gjithçka ishte kryer.

Por, duhet ta shihte Presidenti Jelcin se çka ishte punuar.

“Mrekulli”, kishte thënë Jelcin. Në dhomë ishte vetëm Borodin dhe Jelcin dhe disa prej njerëzve të Behgjetit që kishin bërë mrekulli me kohën dhe ndërtimin.

“President, faleminderit për përqafimin dhe për fjalët që m’i the, por gjithë kjo punë nuk ishte bërë pa ndihmën logjistike dhe të mrekullueshme të një njeriu”.

“Kush është ai?” kish pyetur Jelcin.

“Nuk qenka këtu…”, ia kish kthyer Behgjeti, i cili më rrëfeu për rastin, “është në pritje të dera”, i kishte thënë Jelcinit.

“Vladimir Putin, eja këtu, dëshiron të të takojë Presidenti”, e kish thirrur Behgjeti-Putinin.

“Faleminderit djalosh, për ndihmën dhe për kujdesin që ke bërë për mikun tim, Behgjet!” Kaq ishte përshëndetja e Jelcinit.

Mbretnesha kishte mbërritur më 14 tetor dhe kishte qëndruar deri më 17 tetor. Por, një gjë, kish mbetur e papërfunduar. Si t’i bëhej Jelcinit një vend në Moskë?

Pas pak ditësh, shefi i FSB (Federal Security Service) Ruse kishte dhënë dorëheqje.
Borodin, në çast, i kishte telefonuar Behgjetit.

“Tani, ka një vend për atë mikun e S. Petersburgut. Lajmëroje ti i pari”, kishte thënë Borodin.

Putin arrin në Moskë.

Bëhet shef shërbimi, Kryeministër dhe President.

Njeriun e parë që s’e do askund afër, as në Rusi dhe as me punë në Rusi, e kishte pikasur. Ai quhej Behgjet Pacolli.

Si të gjitha historitë e liderëve diktatorë. E vrasin historinë e vet dhe rrugën e ardhjes.

Por, rrëfimi mbetet.

Në konferencën për shtyp e pashë Zelenskin dhe kujtoja Behgjetin. Të dy, pjesë të historisë.

Njëri që e kishte bërë Putinin të qeshte në Teatrin e Moskës me komedinë e tij dhe, tjetri, me rastësinë e tij të kohës, ia kishte nisur rrugën drejt pushtetit.

Zelenski po e shihte luftën me pafuqinë e tij./express


Shtuar 22.06.2022 19:35