Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Qeveria, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, duhet ta dorëzojë Projektligjin për Buxhetin në Kuvend jo më vonë se 31 tetori.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur ta shkelë këtë afat dhe madje ta bëjë një gjë të tillë me mburrje.
Të lidhura
None found
Bajrami ka theksuar se, megjithëse rendi institucional përcaktohet nga ligji, në rastin e Kurtit rendin e veprimeve po e përcakton partia.
“Sot është 31 tetori, por Projektligji për Buxhetin e vitit 2027 ende nuk është miratuar në Qeveri. Kryeministri Kurti paska paralajmëru në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij se buxhetin do ta miratojë të hënën, më 2 nëntor. Vitin e kaluar, pikërisht më 31 tetor, Kurti mburrej se po e miratonte buxhetin brenda afatit ligjor.
Sivjet, paska vendosë me mburrje me e shkelë edhe këtë afat. Por, meqë tashmë veç kemi rrëshqitur në parti-shtet, buxheti i Republikës fillimisht ‘kaloj’ filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj do të miratohet në Qeveri dhe pas çdo afati ligjor do t’i dërgohet Kuvendit. Ligji e përcakton rendin e institucioneve, por për Albin Kurtin partia s’pyet për ligj e afate ligjore, partia e përcakton rendin e gjerave”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së ka nënvizuar se qytetarët nuk kanë nevojë për shifra të mëdha të prezantuara në konferenca, por për rezultate konkrete.
“Një gjë është me i nda 1 miliard euro në letër, e krejt tjetër me i shndërru ato në rrugë, shkolla, spitale e projekte të përfunduara. Qytetarëve nuk u duhen miliarda në konferenca e mbledhje partiake. U duhen rezultate! Qytetarëve u duhet siguri fizike e juridike, respektim i ligjit nga krerët e shtetit, sepse nëse Qeveria nuk i respekton ligjet dhe afatet ligjore, qysh ka me kërku këtë prej vartësve të vet? Buxheti është i shtetit/qytetarëve, jo i partisë. Ligji dhe afatet ligjore vlejnë dhe duhet të respektohen edhe nga qeveritarët”, ka theksuar Bajrami.







