Gjatë emisionit “Goca dhe Gra”, Orinda Huta foli hapur për përpjekjet e saj për të sjellë në jetë një fëmijë të dytë përmes fertilizimit in vitro. Ajo tregoi se katër tentativat e kryera në Shqipëri nuk patën sukses dhe se tashmë ka nisur një tjetër përpjekje në një klinikë në Turqi.
Orinda tha se dëshira e saj dhe e partnerit për të zgjeruar familjen mbetet e fortë. Ajo shtoi se do të vazhdojë të provojë për aq kohë sa trupi i saj ia lejon, duke u mbështetur edhe te lutjet dhe shpresa.
Të lidhura
None found
Aktorja rrëfeu se vendimi për t’iu drejtuar një klinike në Turqi erdhi pas zhgënjimit që përjetoi në Shqipëri, ku, sipas saj, nuk është ndier e dëgjuar nga mjekët. Tashmë ajo pret me shpresë lajmin që dëshiron.
“Unë po përpiqem dhe do të vazhdoj të përpiqem. E dëshiroj shumë një fëmijë të dytë dhe, për sa kohë trupi ynë e mundëson, bashkë me lutjet drejtuar Zotit, besoj se kjo mund të ndodhë. Nuk mendoj se duhet të dorëzohemi.
Sot gratë përballen me shumë vështirësi dhe shpesh nuk marrin përgjigje për arsyen pse po u ndodhin. Tani e kam nisur këtë proces në Turqi dhe po provoj atje. Në Shqipëri e tentova katër herë, por nuk ia dola.
Kur vendosa të mos provoja më, sidomos pas zhgënjimit të fundit, u ndjeva e padëgjuar. Ti nis të njohësh trupin tënd dhe të bësh pyetje, ndërsa mjeku të përgjigjet: ‘Kështu janë statistikat’. Në atë moment nis ta shohësh veten vetëm si një statistikë.
Nuk mund të zbatohet i njëjti protokoll për çdo paciente. E mbaj mend shumë mirë ditën kur mësova se stimulimi nuk kishte shkuar mirë, më 30 dhjetor. Më telefonuan dhe më thanë: ‘Orinda, nuk ia dola dot’.
M’u desh një vit që ta nisja përsëri këtë rrugëtim. Klinika në Turqi më kërkoi të shkoja dhe të provoja një herë atje. Tani shpresojmë dhe, nëse Zoti nuk e do, nuk mund ta sforcosh”, u shpreh Orinda Huta.








