AVONET ka reaguar për mungesën e ditarëve shkollorë në institucionet arsimore të Republikës së Kosovës, edhe katër ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor.
Të lidhura
None found
Sipas rrjetit të organizatave qeveritare, ditari është një instrument themelor për regjistrimin, dokumentimin dhe menaxhimin e procesit mësimor. AVONET e cilëson të papranueshme që mësimdhënësit të mos e kenë këtë mjet pune disa ditë pas fillimit të mësimit, duke ngritur shqetësime serioze për planifikimin dhe bashkërendimin institucional.
“Katër ditë pa një mjet bazë të punës janë tregues i një dështimi në planifikim dhe koordinim institucional”, thuhet në reagimin e AVONET-it.
Organizata kërkon përgjigje nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit lidhur me arsyen pse ditarët nuk u siguruan dhe nuk u shpërndanë para nisjes së procesit mësimor, si dhe për personat që mbajnë përgjegjësi për këtë vonesë.
AVONET vlerëson se kjo mungesë nuk mund të konsiderohet thjesht si një problem administrativ apo si një vonesë pa rëndësi.
“Është e pakuptimtë që në Kosovë të flitet për reforma të thella në arsim, digjitalizim, rritje të cilësisë dhe modernizim të sistemit arsimor, ndërkohë që shkollat përballen me mungesën e mjeteve elementare për zhvillimin dhe dokumentimin e procesit mësimor”, thekson organizata.
AVONET i kërkon Ministrisë së Arsimit të publikojë urgjentisht arsyet e mungesës së ditarëve, masat që janë marrë për furnizimin e shkollave, afatin konkret brenda të cilit të gjitha institucionet arsimore do të pajisen me to, si dhe të sqarojë përgjegjësinë institucionale për këtë situatë.
Sipas organizatës, nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit kanë nevojë për institucione të përgjegjshme, të organizuara dhe të afta për t’i përmbushur detyrimet në kohë, e jo për arsyetime.
