Në një intervistë live për Euronews Albania, eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier u pyet nga gazetarja Esmeralda Mulaj nëse armatosja e Serbisë dhe lidhjet e saj me Rusinë e Kinën përbëjnë shqetësim për Europën dhe Kroacinë. Stier sqaroi se alarmi nuk lidhet vetëm me riarmatimin, por edhe me blerjen e armëve sulmuese.
Të lidhura
None found
Ai tha se Parlamenti Europian ka qenë institucioni më kritik ndaj regjimit të Beogradit. Sipas tij, PE i ka kërkuar Komisionit Europian të ndryshojë kurs dhe të ndërpresë financimet, pasi politikat e ndjekura deri tani nuk kanë sjellë rezultate pozitive.
“Shqetësimi ynë shkon përtej riarmatimit dhe përfshin edhe blerjen e armëve ofensive, si raketat balistike të siguruara nga Kina. Pyetja që shtrohet është se për çfarë i nevojiten Serbisë këto armë. Këtë shqetësim e kemi ngritur edhe në rezolutën e Parlamentit Europian për Serbinë.
Kemi vërejtur se regjimi serb nuk po përparon aspak drejt vlerave europiane. Veçanërisht pas sulmit të Banjskës, Parlamenti Europian ka kritikuar ashpër edhe reagimin e institucioneve të tjera, mes tyre Komisionin Europian. Këtij të fundit i kemi kërkuar të ndjekë politika të përshtatshme, duke bërë të qartë se Serbia nuk po zbaton reformat dhe se nuk duhet të marrë më fonde.
Do të thoja se Parlamenti Europian ka qenë institucioni më kritik për politikat ndaj Serbisë. Ndërkohë, Komisioni vijon të zbatojë dhe të ndjekë qasje me shpresën se ato do të japin rezultat, ndonëse deri më tani rezultatet kanë qenë negative.
Është, natyrisht, një deklaratë shqetësuese. Në vend që të marrë parasysh mesazhet e institucioneve europiane, veçanërisht ato të Parlamentit Europian, Beogradi, siç kemi parë deri tani, vazhdon të ndjekë politikat e veta. Për shembull, vetëm dje Ministria e Jashtme e Serbisë shpërndau një notë verbale proteste kundër lirisë së medias në Kroaci.
Kjo përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të një shteti, dhe ndodh në një periudhë kur Serbia është në prag të zgjedhjeve. Kjo nuk është rruga e duhur për të ecur përpara. Mendoj se duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se politikat e saj të brendshme nuk po e çojnë drejt Bashkimit Europian”, deklaroi eurodeputeti.





