Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shënuar 5-vjetorin e themelimit, ndërsa përfaqësues institucionalë dhe ndërkombëtarë kanë vlerësuar kontributin e saj në forcimin e transparencës dhe mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se një shtet demokratik i trajton transparencën dhe privatësinë si dy garanci thelbësore, pasi njëra e bën pushtetin të dukshëm, ndërsa tjetra e mbron qytetarin nga ndërhyrja e tij. Ajo kujtoi se vetëm gjatë vitit 2025 Agjencia ka pranuar mbi një mijë kërkesa, ka kryer qindra inspektime dhe ka trajtuar qindra pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm. Sipas saj, brenda një periudhe të shkurtër AIP ka arritur ta vendosë Kosovën në rrjete të rëndësishme ndërkombëtare të privatësisë, ndërsa pjesëmarrja si vëzhguese në bordin evropian dhe përfaqësimi i asamblesë globale të privatësisë janë hapa të rëndësishëm për praninë profesionale dhe institucionale të republikës sonë në këtë fushë.
Të lidhura
None found
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, theksoi se ngritja e kapaciteteve ishte një nga synimet që u realizua dhe që solli mijëra pjesëmarrës.
Ajo sqaroi se trajnimet kanë përfshirë profesionistë të shumtë, duke nisur nga sektori i drejtësisë, ku janë përfshirë shumë gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë policorë dhe të shërbimit korrektues, e deri te ministrat, kryetarët e komunave, udhëheqësit e pavarur, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët dhe zyrtarët e arkivës. Sogojeva tha se synimi ishte që llogaridhënia institucionale të mos mbetej peng i mosnjohjes së detyrimeve ligjore. Ajo shtoi se edhe sektori privat ka qenë në qendër të informimit për përmbushjen e obligimeve ligjore, ndërsa kompanitë e teknologjisë informative, start up dhe kompanitë e telekomunikimit kanë qenë pjesë e pandarë e aktiviteteve të ndërgjegjësimit. Sipas saj, shëndetësia, si një prej sektorëve që ruan të dhëna të ndjeshme, ka qenë gjithashtu në fokus për ngritjen e kapaciteteve.
Drejtori i Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Zdravko Vukiq, tha se nga perspektiva e bordit të BE-së vlerësohet përkushtimi i AIP-së në përputhje me praktikat e BE-së dhe praktikat më të mira. Ai nënvizoi se statusi i vëzhguesit që Kosova gëzon aktualisht brenda kornizës së bordit është një njohje e rëndësishme e përpjekjeve dhe një platformë e vlefshme për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim ekspertize.
