Abdixhiku kryetar i LDK-së, vjen reagimi i Kurtit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka uruar Lumir Abdixhikun me rastin e zgjedhjes për kryetar të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në kuvendin e sotëm zgjedhor, Lumir Abdixhiku mori më së shumti vota në mesin e tre kandidatëve sa garuan për kreun e partisë.

“Dëshiroj të uroj punë të mbarë për Lumir Abdixhiku, i cili është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së. Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë”, shkruan Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se vullneti e korrektësia për bashkëpunim në interes të vendit e në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të mungojë asnjëherë.

“Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën, e askush askujt nuk mundet më t’ia mohojë këtë të drejtë”, është shprehur Kurti.

Në garën e sotme për kreun e ri të LDK-së ishin Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa.

Kryetari i ri i LDK-së është zgjedhur pasi Isa Mustafa dha dorëheqje nga ky post pas 11 vjetësh të udhëheqjes me partinë, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit shënoi rezultatin e saj më të dobët ndonjëherë.

Shtuar 14.03.2021 07:03