Gjykimi ndaj Elijon Hoxhajt, Erion Susurit, Arbër Hoxhajt dhe Orhan Ademajt për rastin që lidhet me tentim-vrasjen e rëndë vazhdoi të enjten, më 23.07.2026, në Gjykatën e Prizrenit.
Të lidhura
None found
Elijon Hoxhaj, sipas aktakuzës, ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë. Erion Susuri, Arbër Hoxhaj dhe Orhan Ademaj akuzohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë.
Para trupit gjykues u dëgjuan tre dëshmitarë, të cilët paraqitën versionet e tyre për rrethanat e ngjarjes.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Ervehe Gashi, dëshmitarja Y.Z. deklaroi se po kthehej në shtëpi së bashku me F.P., kur ishin takuar me të akuzuarin Elijon Hoxhaj. Meqë njiheshin dhe kishin miqësi, ai ishte afruar për t’i shoqëruar deri në shtëpi.
Ajo tregoi se, pranë “ABI Çarshisë”, atyre u ishte afruar një veturë e zezë me pesë persona. Njëri prej tyre kishte pyetur: “A na jep këto çika për një natë?”. Hoxhaj kishte reaguar ndaj kësaj deklarate, ndërsa personat ishin kthyer, kishin dalë nga automjeti dhe njëri prej tyre e kishte goditur atë me grusht në fytyrë. Gjatë kësaj kohe, dy vajzat ishin përpjekur ta qetësonin situatën.
“Elijoni i ka thanë: ‘A jeni normal çka jeni tu thanë?’”, deklaroi Y.Z.
Sipas dëshmitares, pesë personat më pas i kishin ndjekur me automjet deri afër Komunës së Prizrenit. Gjatë ndjekjes, ata i kishin sharë dhe ofenduar, ndërsa vazhdimisht u kishin bërë shenja që ta ndalonin veturën.
Në pyetjet e avokatit Blerim Mazreku, përfaqësues i të dëmtuarve, Y.Z. konfirmoi se Hoxhaj kishte telefonuar dikë për të kërkuar ndihmë, derisa po ndiqeshin me veturë. Sipas saj, ai kishte thënë: “A mundeni me ardhë se janë duke na ndjekur disa djem?”.
“Po e ka thirrë dikë, por nuk ka përmendur emra”, tha dëshmitarja Y.Z.
E pyetur nga Valdrin Gashi, avokati mbrojtës i të akuzuarit Orhan Ademaj, dëshmitarja deklaroi se nuk do të arrinte t’i identifikonte personat e parë atë natë edhe nëse do të përballej sot me ta. Ajo shpjegoi se kishte qenë e emocionuar dhe ishte përqendruar në përpjekjen për ta ndalur të akuzuarin Hoxhaj.
Një rrëfim të përafërt për ngjarjen dha edhe dëshmitarja F.P. Ajo tha se sulmuesit ishin përpjekur ta godisnin Hoxhajn, por grushti kishte kaluar pranë fytyrës së saj dhe më pas e kishte goditur atë. F.P. shtoi se të njëjtët persona i kishin ndjekur me veturë, i kishin kërcënuar me shprehje fyese dhe u kishin kërkuar të ndalonin.
“Zhdrypni ju tregojna se kush jena na, nale kerrin, ku të njëjtit na kanë sharë e na kanë ofenduar”, deklaroi dëshmitarja F.P.
Dëshmitari Y.Z., ndërkaq, tregoi se ishte përfshirë rastësisht në situatë, pasi kishte parë disa persona që po tentonin ta sulmonin një djalë të shoqëruar nga dy vajza. Për ta qetësuar gjendjen, ai u kishte kërkuar të largoheshin dhe i kishte paralajmëruar se Policia po vinte. Pas ndërhyrjes së tij, sipas dëshmisë, Hoxhaj dhe dy vajzat ishin larguar me automjetin e tyre.
“Largohuni se po vjen Policia, dhe kam reagu tu u mundu që fizikisht t’i ndali këta pesë persona, të cilët ishin në drejtim të personit i cili ishte me dy femra, e i janë drejtu me fjalë fyese”, tha dëshmitari Y.Z.
As prokurorja Ervehe Gashi, as avokatja e palës së dëmtuar, Raima Elezi, dhe as të akuzuarit me mbrojtësit e tyre nuk paraqitën vërejtje lidhur me dëshminë e dhënë.
Seanca e ardhshme është caktuar të vazhdojë më 24 korrik 2026.
Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se ngjarja ka ndodhur më 29 dhjetor 2024, rreth orës 01:45. Pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme në parkingun e Qendrës Tregtare “ABI Çarshia”, Elijon Hoxhaj dyshohet se kishte telefonuar Erion Susurin, Arbër Hoxhajn dhe Orhan Ademajn, me të cilët më pas ishte takuar pranë pompës së derivateve “Shell” në Prizren.
Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit, duke përdorur dy automjete, kishin ndjekur Muharrem Elshanin, Lutfi Bislimajn dhe Albin Elshanin.
Sipas aktakuzës, të dëmtuarve u ishte bllokuar rruga afër objektit të IPKO-s. Eljon Hoxhaj dyshohet se kishte dalë nga vetura me një thikë dhe kishte goditur Muharrem Elshanin në shpatullën e djathtë, Lutfi Bislimajn në pjesën lumbale të majtë, ndërsa Albin Elshanin në këmbë dhe në parakrah, duke u shkaktuar lëndime trupore.
Për këto veprime, Eljon Hoxhaj përballet me akuzat për vrasje të rëndë në tentativë dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Erion Susuri, Arbër Hoxhaj dhe Orhan Ademaj, sipas Prokurorisë, kishin ndihmuar në realizimin e veprës penale përmes pjesëmarrjes në ndjekjen e të dëmtuarve, bllokimit të automjetit të tyre dhe sulmit fizik. Në këtë mënyrë, pretendohet se ata kishin krijuar kushtet që Hoxhaj t’i sulmonte me thikë tre të dëmtuarit. Për këtë arsye, të tre ngarkohen me veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë në tentativë./Kallxo
