22 vjet nga masakra e Krushës së Madhe, Vjosa Osmani përkujton viktimat

Dita e sotme shënon 22 vjeptrin e masakrës së Krushës së Madhe në Kosovë ku humbën jetën 243 persona që u masakruan nga forcat serbe.

Për këtë ditë ka bërë një postim edhe Presidentja në detyre, Vjosa Osmani e cila i përkujton viktimat dhe thekson se nuk do të ndalojnë asnjëherë së thëni të vërtetën

Postimi i Plotë:

Këto ditë bëhen 22-vjet nga masakra e Krushës së Madhe, e cila përveç se dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidal të Serbisë, mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshati. Janë shumë të pagjetur, fati i të cilëve ende mbetet peng, brengë dhe ankth jo vetëm për familjarët, por edhe për shtetin e Kosovës.

Në një aksion dyditor, regjimi serb manifestoi egërsi të paparë, duke ndarë burra e djem nga gratë e nënat e tyre dhe duke ekzektutuar 243 persona. Dy dekada më pas, masakra e Krushës së Madhe është zëri i ndërgjegjes që thërret për drejtësi dhe zbardhje të fatit të të pagjeturve.

Duke kujtuar këtë ditë, ne sot e kuptojmë peshën dhe çmimin që paguam për lirinë e vendit!

Liria nuk ka kuptim pa adresimin e përgjegjësisë për ekzekutorët e kësaj masakre, siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon!

Ne nuk do ndalemi duke e thënë të vërtetën për Masakrën e Krushës, kudo dhe kurdo. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë që t’i rrijmë afër familjeve dhe t’u themi se dhimbja e tyre është edhe e jona dhe që si institucione shtetërore nuk do zbrapsemi në përpjekjen për të kërkuar drejtësi!

I përjetshëm qoftë kujtimi për 243 të vrarët e Krushës së Madhe! /albeu.com/


Shtuar 25.03.2021 09:44