Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se Kosova ndodhet në një ngërç politik që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Të lidhura
None found
Rrustemi pretendon se opozita fillimisht pengoi krijimin e institucioneve të reja dhe më vonë bllokoi edhe zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, edhe marrëveshja e arritur mes LVV-së dhe LDK-së për kandidaturën e prof. Bekim Sejdiut nuk u mbështet nga gjashtë deputetë të LDK-së.
Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj situate mund ta çojë Kosovën përsëri në zgjedhje. Rrustemi e akuzon opozitën se synon të pamundësojë qeverisjen e Albin Kurtit.
Në postimin e tij, Rrustemi ka renditur zhvillimet politike që, sipas tij, kanë çuar në këtë situatë:
Pas përfundimit të një mandati të plotë katërvjeçar, më 9 shkurt 2025 u zhvilluan zgjedhjet e rregullta.
Sipas tij, nga shkurti i vitit 2025 deri në nëntor 2025, opozita bllokoi përpjekjet që LVV-ja të qeveriste. Ai përmend se për disa muaj u pengua zgjedhja e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit, ndërsa më pas nuk u mbështetën as Albin Kurti për kryeministër dhe as Glauk Konjufca.
Si pasojë, Kosova shkoi në zgjedhje të reja.
Më 28 dhjetor 2025, LVV-ja fitoi zgjedhjet me një rezultat edhe më bindës.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, opozita, sipas Rrustemit, e zhvendosi bllokadën te zgjedhja e presidentit, për të cilën nevojiteshin 80 vota në kuti.
LVV-ja u kërkoi partive opozitare të propozonin emra që mund të merrnin mbështetjen e saj, por ato nuk dhanë asnjë emër. Më pas, LVV-ja propozoi një figurë jopartiake, Feride Rushitin, por edhe kjo kandidaturë u refuzua.
Pas kësaj, Kosova shkoi përsëri në zgjedhje.
Më 7 qershor 2026, LVV-ja fitoi sërish bindshëm.
Pas diskutimeve të gjata, LVV-ja dhe LDK-ja arritën marrëveshje për kandidaturën e prof. Bekim Sejdiut për president. Megjithatë, gjashtë deputetë të LDK-së nuk e pranuan marrëveshjen.
Rrjedhimisht, sipas Rrustemit, Kosova mund të përballet përsëri me zgjedhje.
Ai ka deklaruar se nga 9 shkurti 2025 deri në shtator 2026 vendi praktikisht ka mbetur në të njëjtën situatë të bllokadës opozitare. Rrustemi pretendon se kundërshtarët politikë nuk duan që Albin Kurti të qeverisë dhe synojnë të marrin vendime pavarësisht vullnetit të qytetarëve, gjë që ai e cilëson të pamundur.
