Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë sigurie ndaj një parcele prej mbi 68 ari në zonën e Fakulteteve Teknike, e cila figuron si pronë komunale në dokumentacionin e Universitetit të Prishtinës.
Të lidhura
None found
Vendimi, i marrë më 24 gusht pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, është mirëpritur nga Universiteti i Prishtinës, i cili e konsideron atë një hap në mbrojtje të pasurisë universitare.
“Që nga fillimi i mandatit, rektori Arben Hajrullahu ka qenë i vendosur për mbrojtjen e pronës universitare, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo përpjekje për tjetërsimin e saj në dëm të interesit publik”, thuhet në reagimin e UP-së.
Për vendimin e gjykatës ka reaguar edhe Fitore Pacolli, ministre në detyrë e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ajo ka deklaruar se masa e sigurisë lidhet me një hapësirë prej mbi 68 ari në zonën e Fakulteteve Teknike, për të cilën, sipas saj, kishte pasur përpjekje për tjetërsim.
“Me këtë vendim, prona publike e Universitetit të Prishtinës po mbrohet nga rreziku i tjetërsimit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Sipas saj, çështja është trajtuar nga Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, të cilin ajo e ka udhëhequr si kryetare, me mbështetjen e deputetëve të tjerë.
“Kontributi i secilit deputet ka qenë shumë i vlefshëm në adresimin e kësaj çështjeje, e sidomos puna dhe angazhimi i ish-deputetit Milazim Salijaj, me të cilin kemi kërkuar që pretendimet dhe dyshimet lidhur me këtë pronë të hetohen dhe të trajtohen nga institucionet kompetente”, ka deklaruar ajo.
Pacolli e ka vlerësuar caktimin e masës së sigurisë si një zhvillim të rëndësishëm për ruajtjen e pasurisë publike.
“I gëzohem këtij zhvillimi dhe do të vazhdoj të angazhohem që pronat publike të mbrohen me ligj dhe me përgjegjësi institucionale”, ka shkruar ajo.
Universiteti i Prishtinës ka shprehur mirënjohje për punën e ish-Komisionit Parlamentar dhe për faktin që rasti është ngritur e trajtuar në mënyrë institucionale.
UP-ja ka falënderuar veçanërisht ish-deputeten Fitore Pacolli dhe Milazim Salijajn për angazhimin në shqyrtimin e çështjes dhe për kontributin e tyre në evidentimin e problematikave që kërkonin hetim nga institucionet kompetente.
“Mirënjohje të veçantë Universiteti i shpreh edhe sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, institucioneve të hetuesisë dhe të gjithë zyrtarëve që, në kuadër të përgjegjësive të tyre ligjore, kanë kontribuar në trajtimin e këtij rasti”, thuhet në reagimin e Universitetit të Prishtinës.
