Ish-paparaci italian Fabrizio Corona është përballur me një tentativë zhvatjeje gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes, më 3 shtator, në Milano. Kërcënimet nuk kanë qenë vetëm ndaj tij, por edhe ndaj djalit të tij.
Të lidhura
None found
Dy të rinj, të cilët Corona i ka cilësuar si “ish-miq të djalit të tij”, e kanë kontaktuar përmes telefonatave dhe mesazheve kërcënuese, raportojnë mediat italiane, mes tyre La Repubblica dhe Il Giorno.
Ata i kanë kërkuar 500 euro, duke i paralajmëruar se, nëse nuk do t’ua jepte shumën, do ta lëndonin atë dhe djalin e tij të madh, Carlos Maria, që Corona e ka me ish-bashkëshorten Nina Moric.
Pas marrjes së kërcënimeve, Corona shkoi në zyrën e ankesave në Via Fatebenefratelli, në Milano. Atje ai u dorëzoi autoriteteve mesazhet dhe provat e komunikimit me dy të dyshuarit.
Hetuesit i kërkuan të paraqitej në Via Noè. Corona udhëtoi drejt adresës me makinën e tij, ndërsa dy ekipe policie e ndoqën situatën nga distanca për të garantuar mbrojtjen e tij.
Me të mbërritur në vendin e takimit, u shfaq një 20-vjeçar, i dyshuar si personi që kishte dërguar mesazhet kërcënuese. Në një çast tensioni, ai goditi me zinxhir xhamin e pasmë të automjetit të Corona-s.
Forcat e policisë vepruan menjëherë dhe e arrestuan të riun. Bashkëpunëtori i tij, 24 vjeç, u largua duke vrapuar, por autoritetet arritën ta identifikonin.
Për 20-vjeçarin ka nisur procedim penal për tentativë zhvatjeje, ndërsa hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes vazhdojnë.
