Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se glorifikimi në Serbi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mlladiq, tregon mungesën e një përballjeje të sinqertë me të kaluarën e luftërave në ish-Jugosllavi.
Të lidhura
None found
Kurti i bëri këto komente gjatë tryezës shkencore me temë “Memorandumi i SANU: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”, e cila u organizua nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.
Duke iu referuar Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, ai theksoi se, edhe katër dekada pas publikimit, dokumenti vazhdon të ketë rëndësi për t’u analizuar, veçanërisht për ndikimin e tij në diskursin politik dhe shoqëror të Serbisë.
Sipas Kurtit, në fundin e viteve ’80 dhe përgjatë viteve ’90, pretendimet për rrezikimin e serbëve në Kosovë u shndërruan në instrument të mobilizimit politik. Pas kësaj, tha ai, erdhën suprimimi i autonomisë së Kosovës, përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet, diskriminimi dhe represioni shtetëror.
Ai vuri në dukje se zhvillimet historike në ish-Jugosllavi tregojnë se narrativat e hartuara dhe të mbështetura nga qarqe politike e akademike mund të krijojnë kushtet për normalizimin e diskriminimit dhe pranimin e dhunës si mekanizëm politik.
Një pjesë të fjalës së tij Kurti ia kushtoi edhe Ratko Mlladiqit, i cili është dënuar për gjenocid dhe krime lufte. Ai kritikoi faktin që Mlladiqi u prit me nderime në Serbi pas vdekjes.
“Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime”, u shpreh Kurti.
Kryeministri në detyrë nënvizoi se shoqëritë demokratike duhet të kenë institucione akademike të pavarura, arkiva të qasshme dhe diskutim shkencor të mbështetur te faktet, në mënyrë që e kaluara të dokumentohet dhe të mos deformohet.
Ai e cilësoi po ashtu të domosdoshëm dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, si dhe ruajtjen e dëshmive për brezat që do të vijnë.
Kurti përmbylli fjalën duke thënë se Kosova ka përgjegjësinë të dokumentojë me saktësi, të analizojë me seriozitet dhe ta mbrojë të vërtetën historike përmes fakteve.
