Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), së bashku me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), po vijon kontrollet te operatorët ekonomikë që prodhojnë dhe tregtojnë bukë në territorin e Republikës së Kosovës.
Fushata e inspektimeve, e nisur më 25 gusht 2026, synon të kontrollojë peshën e bukës dhe vlefshmërinë e peshoreve që përdoren në furrat e Kosovës, në kuadër të masave për mbrojtjen e konsumatorëve nga mashtrimet.
Të lidhura
None found
Kontrollet e përbashkëta të AMK-së dhe IQMT-së nisën në rajonin e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, ndërsa u zhvilluan edhe më 1 dhe 3 shtator 2026.
Interesimi i shtuar nga ana e operatorëve ekonomikë ka bërë që AMK të regjistrojë 60 kërkesa të paraqitura nga furrtarët për verifikimin e peshoreve gjatë ditëve të fundit.
Procesi i inspektimit do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme dhe do të shtrihet në komuna të tjera të Republikës së Kosovës.
AMK dhe IQMT u kërkojnë të gjithë furrtarëve që ta kryejnë në kohë verifikimin e peshoreve, të garantojnë matje të sakta për produktet dhe të zbatojnë çdo detyrim ligjor. Sipas këtyre institucioneve, këto masa janë të nevojshme për mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e një funksionimi të rregullt të tregut.
