Donald Trump i është drejtuar Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara me kërkesën që të rrëzojë vendimin e një gjykate më të ulët, e cila ka bllokuar urdhrin e tij ekzekutiv për kufizimin e votimit me postë.
Të lidhura
None found
Ndërhyrja urgjente e presidentit amerikan pranë gjykatës më të lartë bëhet dy muaj përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor dhe vetëm pak ditë para nisjes së dërgimit të fletëve të votimit përmes postës.
Trump e firmosi urdhrin ekzekutiv në mars, me synimin për të kufizuar këtë mënyrë votimi, por masa u kundërshtua ligjërisht nga disa shtete nën drejtimin e demokratëve.
Sipas urdhrit, të autorizuar për herë të parë nga Gjykata Supreme rreth dhjetë ditë më parë, administrata duhet të hartojë lista të posaçme me votuesit e kualifikuar. Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara (USPS) duhet gjithashtu të udhëzohet që fletët e votimit me postë t’ua dorëzojë vetëm personave të përfshirë në këto lista.
Ndërkohë, zgjedhjet e mesit të mandatit po i shkaktojnë Presidentit Trump edhe vështirësi të tjera të mëdha logjistike. Krahas përplasjes për votimin postar, Gjykata Supreme e Misurit ka ndaluar përdorimin e hartës së re të Kolegjit Zgjedhor në këto zgjedhje dhe ka vendosur që çështja të përfshihet si referendum në fletën e votimit të nëntorit, duke u dhënë republikanëve një goditje të fortë.
Duke shprehur zemërimin e tij në Truth, presidenti shkroi se vendimi “jo vetëm që është i tmerrshëm, qesharak dhe jokushtetues, por as nuk lë kohë të mjaftueshme për t’u rikthyer në hartën e mëparshme, duke pasur parasysh se zgjedhjet tani janë të afërta”.
Republikanët shpresonin që ndryshimi i kufijve të kongresit në Misuri t’u siguronte një mandat më shumë dhe t’i ndihmonte të mbanin shumicën e ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Megjithatë, si pasojë e vendimit, në zgjedhjet e vjeshtës shteti do të rikthehet te kufijtë e mëparshëm të distrikteve.
Trump reagoi sërish duke deklaruar: “Procesi zgjedhor, si zakonisht, po manipulohet në Amerikë! Misuri duhet të jetë në gjendje të përdorë hartën që hyri në fuqi vetëm disa muaj më parë, gjatë zgjedhjeve paraprake. Kjo është një ditë e errët për ‘drejtësinë’ në Misuri!”
Vendimi i gjykatës përmbylli përplasjen ligjore mes grupit People Not Politicians Missouri, që e konsideronte masën jokushtetuese, dhe drejtuesve republikanë të shtetit. Harta e re ishte përgatitur për të skualifikuar njërin prej dy demokratëve që përfaqësojnë Misurin në Kongres, Emanuel Cleaver. Pas vendimit, Cleaver shkroi në X se në fund kishte triumfuar “demokracia”.
Gjykata u shpreh pak përpara afatit të 8 shtatorit, të përcaktuar nga shteti për përfundimin e fletëvotimit zgjedhor. Më pas, Prokurorja e Përgjithshme e Misurit, Catherine Hanaway, bëri të ditur se synon ta ankimojë çështjen në Gjykatën Supreme të SHBA-së.
Nën trysninë e Trump, Misuri u bë një nga shtetet e pakta të drejtuara nga republikanët që ripërcaktoi Kolegjet Zgjedhore, në përpjekje për të përforcuar shumicën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.
