Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, u ka bërë thirrje transportuesve nga Maqedonia e Veriut që të mos ndikohen nga vendet fqinje dhe të mos bien pre e informacioneve të pavërteta që po qarkullojnë.
Të lidhura
None found
Në një intervistë për emisionin “Vesti Plus” në televizionin “Kanal5”, ai sqaroi se dy ditë më parë në Bruksel nuk pati asnjë takim, por një konferencë të rregullt shtypi, ku gazetarët patën mundësinë të bënin pyetje të çdo lloji, përfshirë edhe për transportuesit nga Ballkani Perëndimor. Nikolloski u shpreh se do t’i lutej transportuesit të mos bien nën ndikimin e një shteti fqinj që së shpejti do të mbajë zgjedhje. Sipas tij, pikërisht nga ai vend u shpërnda informacioni se më 1 shtator në Bruksel ishte mbajtur një takim, dhe një njoftim i tillë është lajm i rremë.
Ministri theksoi se hapi më i madh në negociatat për kufizimin e qëndrimit të transportuesve në zonën Shengen u bë në shkurt të këtij viti, kur Bashkimi Evropian vendosi t’i njohë shoferët e autobusëve dhe kamionëve si profesionistë. Kjo do të thotë se të gjithë shoferët që veprojnë në zonën Shengen kanë tani mundësi të kërkojnë viza afatgjata të vlefshme në mbarë BE-në.
Ai e cilësoi si shumë serioz problemin me të cilin përballen transportuesit e Maqedonisë, duke shtuar se qeveria tregon mirëkuptim të plotë dhe u jep mbështetje të fortë, ashtu siç ka vepruar gjatë gjithë periudhës së kaluar. Sipas tij, përparimi më i madh u arrit në muajin shkurt, kur Komisioni Evropian ndryshoi strategjinë e vet për vizat dhe i njohu si profesionistë shoferët e kamionëve, autobusëve dhe mjeteve të tjera të transportit. Ky ndryshim krijoi hapësirë për gjetjen e një zgjidhjeje. Nikolloski shpjegoi se procesi ka dy shkallë: fillimisht ata u njohën si profesionistë, dhe me këtë status fituan të drejtën për viza afatgjata, duke anashkaluar kështu kufirin prej 90 ditësh brenda 180 ditëve që vlen për banorët e tjerë që nuk janë pjesë e zonës Shengen.
Ai saktësoi se tashmë çdo shofer që ka nevojë të transportojë mallra në cilin do shtet të zonës Shengen mund të aplikojë për vizë afatgjatë dhe ta marrë atë. Viza të tilla lëshojnë tashmë Kroacia dhe Zvicra.
Nikolloski vuri theksin te rëndësia që këto viza të vlejnë për të gjithë hapësirën Shengen, jo vetëm për shtetin që i lëshon, sepse brenda zonës nuk ka kufij dhe hyrja bëhet vetëm në kufijtë e jashtëm për vendet që nuk janë anëtare të saj. Kjo, sipas tij, është zgjidhja që mund të arrihet aktualisht, ndonëse do të ishte më mirë dhe më lehtë nëse BE-ja do t’i ndryshonte rregullat. Ai theksoi se e kanë kërkuar vazhdimisht këtë, por vendimi nuk varet prej tyre, por nga BE-ja, dhe se ajo që mund të bëjnë tani, po e bëjnë.
