Kompania austriake AVILOO ka publikuar një studim të ri, të mbështetur në të dhënat e automjeteve elektrike të përdorura që i janë nënshtruar testit të pavarur AVILOO Flash.
Të lidhura
None found
Analiza përcakton për çdo model nivelin mesatar të ruajtjes së baterisë në tri faza të rëndësishme të përdorimit: pas 50.000, 100.000 dhe 150.000 kilometrash. Gjithashtu, ajo përllogarit autonominë e parashikuar që duhet ta arrijnë 99 për qind e automjeteve në secilin prej këtyre kufijve.
AVILOO Flash është një procedurë e pavarur diagnostikuese, e cila realizohet për afro tre minuta duke e lidhur pajisjen me portën OBD të automjetit. Qëllimi i saj është të përcaktojë gjendjen konkrete të baterisë së çdo veture. Të dhënat e studimit vijnë vetëm nga automjete elektrike të certifikuara dhe të përdorura, bateritë e të cilave janë kontrolluar dhe dokumentuar realisht, jo nga vlerësime të hamendësuara.
Sipas AVILOO-s, versioni aktual i hulumtimit përmbledh mbi 500 mijë teste të pavarura, të realizuara gjatë viteve 2022–2026 në automjete të certifikuara nga kompania. Në analizë janë përfshirë 20 modele të njohura elektrike, të testuara në vende të ndryshme të botës.
Rezultatet e përdorura janë pjesë e bazës globale të të dhënave të AVILOO-s, ku gjenden më shumë se një milion teste.
Shëndeti i baterisë, i njohur si SoH dhe i shprehur përmes përqindjes së kapacitetit fillestar të mbetur, mund të ketë një diferencë deri në 13,5 për qind mes automjeteve më të mira dhe atyre më të dobëta brenda të njëjtit model. Në përgjithësi, veturat elektrike me bateri më të vogla pësojnë degradim më të shpejtë, pasi kërkojnë më shumë cikle karikimi për të përshkuar të njëjtën largësi sesa modelet e pajisura me bateri më të mëdha.
Hyundai Ioniq 5 është renditur si automjeti me performancën më të mirë në këto testime. Edhe pasi kishte përshkuar 150 mijë kilometra, bateria e tij me kapacitet 72,7 kWh ruante 93,37 për qind të kapacitetit fillestar.
Rezultate të përafërta kanë arritur edhe dy crossoverë të njohur që konkurrojnë në të njëjtin treg. Volkswagen ID.4, i pajisur me bateri 77 kWh, kishte ende 95,41 për qind të kapacitetit pas 50.000 kilometrash, ndërsa pas 150.000 kilometrash niveli ishte 90,09 për qind.
Tesla Model Y Long Range, me bateri 78,8 kWh dhe e prodhuar nga viti 2021 deri në vitin 2025, ruante 94,54 për qind të kapacitetit pas 50 mijë kilometrash. Në kufirin e 150 mijë kilometrave, kjo shifër zbriste në 90,05 për qind. Të gjitha këto vlerësohen si rezultate të mira.
Për automjetet elektrike të përdorura, AVILOO ofron edhe certifikata që dëshmojnë gjendjen e baterisë.
