Një konfrontim i dhunshëm me armë mes dy institucioneve kryesore të sigurisë ukrainase shpërtheu në zemër të kryeqytetit, gjatë një operacioni që hetonte një plan të dyshuar rus për të goditur një figurë të opozitës ruse.
Përplasja përfshiu agjentë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe efektivë të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake (HUR), në një rast që kishte në epiqendër Stepan Kaplunovin, zëvendëskomandantin e Korpusit Vullnetar Rus (RVC), një formacion që lufton përkrah forcave ukrainase kundër Moskës.
Të lidhura
None found
SBU kishte bërë të ditur më parë se kishte penguar një sulm terrorist të supozuar, të orkestruar nga shërbimi sekret rus FSB kundër Kaplunovit. Një burim nga radhët e ushtrisë ukrainase konfirmoi se shënjestra e komplotit ishte pikërisht komandanti i RVC-së.
Kaplunov kishte udhëtuar drejt Ukrainës për të marrë pjesë në ceremonitë e Ditës së Pavarësisë më 24 gusht, ndërkohë që më 1 shtator RVC raportoi se ai ishte “marrë me forcë nga individë të paidentifikuar në oborrin e banesës së tij”.
Por ky rrëfim i ngjarjeve u sfidua hapur nga zëdhënës të HUR-it dhe nga mbrojtësi ligjor i Kaplunovit.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, efektivët e SBU-së u goditën nga anëtarë të një njësie të Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës, teksa po zhvillonin veprimtari hetimore në lidhje me komplotin e dyshuar.
“Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore për rastin e aktit terrorist të FSB-së, ndodhi një agresion i armatosur ndaj oficerëve të SBU-së”, njoftoi prokuroria, duke sqaruar se armët u aktivizuan pasi zyrtarët hasnin në “qëndresë të armatosur”.
Këshilltari presidencial Dmytro Litvin konfirmoi përfshirjen e të dy agjencive në incident. Sipas tij, presidenti Volodymyr Zelensky thirri menjëherë shefat e SBU-së dhe HUR-it në një takim dhe urdhëroi që opinioni publik të vihej në dijeni të situatës.
Megjithatë, komandanti i njësisë speciale “Timur” të HUR-it, ku bën pjesë edhe Korpusi Vullnetar Rus, ofroi një version krejt të ndryshëm. Në një video të shpërndarë nga Radio Evropa e Lirë, ai pretendoi se Kaplunov ishte “rrëmbyer në mes të ditës” nga agjentë të SBU-së dhe ishte mbajtur pa asnjë akuzë.
Sipas komandantit, pas bisedimeve mes palëve dhe një marrëveshjeje për procedurat ligjore, SBU filloi të arrestonte përfaqësues të HUR-it. Ai ngriti akuzën se oficerët e SBU-së qëlluan mbi pjesëtarë të paarmatosur të inteligjencës ushtarake.
Avokati i Kaplunovit, Taras Borovsky, raportoi se disa efektivë të HUR-it mbetën të plagosur gjatë përplasjes me armë. Dy prej tyre, sipas tij, u shtruan në spital në kushte kritike.
“Njërit iu godit këmba, duke i çarë një arterie dhe humbje të madhe gjaku. Ai ndodhet në gjendje shumë të rëndë në spital. I dyti është po ashtu i hospitalizuar në gjendje të rëndë. I treti ka plagë të cekëta”, detajoi Borovsky.
Avokati, i cili pohonte se gjendej në vendin e ngjarjes, akuzoi gjithashtu SBU-në se kishte ushtruar një bastisje gjatë natës në apartamentin e Kaplunovit, pa praninë e tij ligjore dhe pa një mandat gjyqësor.
Borovsky hodhi dyshime edhe mbi kronologjinë, duke vënë në dukje se Kaplunov ishte privuar nga liria që prej 23 gushtit, ndërsa kontrolli i banesës u krye më 1 shtator. Ai theksoi se ende nuk ishte vënë në dijeni të shkaqeve të ndalimit të klientit të tij.
Mbrojtësi ligjor hodhi poshtë gjithashtu pretendimin se SBU kishte parandaluar një atentat ndaj Kaplunovit, duke e përshkruar deklaratën si një tentativë për të legjitimuar një arrestim të paligjshëm.
Sipas Borovskyt, Kaplunov u la i lirë më pas, por vendndodhja e tij mbeti e paqartë.
Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi me ashpërsi ndaj incidentit, duke e stigmatizuar si “një situatë absolutisht të turpshme”.
Ai komunikoi se Prokurori i Përgjithshëm Ruslan Kravchenko dhe Byroja Shtetërore e Hetimit do të nisin një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Presidenti paralajmëroi se fajtorët duhet të japin llogari, ndërsa la të hapur mundësinë e riorganizimeve në krye të shërbimeve të sigurisë dhe hetimeve të brendshme në SBU dhe HUR.
“Këtu, në Ukrainë, lejohet të qëllosh vetëm kundër pushtuesve rusë, duke mbrojtur tokën tonë”, deklaroi Zelensky, duke nënvizuar se asnjë përplasje tjetër me armë mes strukturave ukrainase nuk mund të tolerohet.
Në vijim të ngjarjes, Zelensky firmosi një dekret për shkarkimin e Oleg Khramov, drejtuesit të departamentit të mbrojtjes së sekreteve shtetërore pranë SBU-së.
Ky rast ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe konfliktet e mëhershme mes organeve të sigurisë ukrainase.
Në mars të vitit 2022, bankieri Denis Kireyev, i cili kishte bashkëpunuar me inteligjencën ushtarake dhe kishte qenë pjesë e negociatave të paqes me Rusinë, u gjet i pajetë në qendër të Kievit.
Në vitin 2023, kreu i atëhershëm i HUR-it, Kirill Budanov, deklaroi se Kireyev ishte ekzekutuar nga agjentë të SBU-së gjatë një operacioni të drejtuar kundër tij.
Vdekja e tij u shoqërua më vonë nga administrata presidenciale me mungesën e koordinimit mes shërbimeve sekrete në ditët e para të agresionit rus.
Incidenti i fundit mes SBU-së dhe HUR-it ndodh në një kontekst ku Ukraina vazhdon konfliktin me Rusinë, duke ngjallur shqetësime të reja rreth përplasjeve dhe bashkëpunimit mes strukturave të saj të sigurisë.
