Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, së bashku me UNODC-në, UNDP-në dhe Institutin e Bazelit, ka zhvilluar të enjten në Prishtinë ditën e parë të punëtorisë dyditore me temë “Shkëmbimi i përvojave ndërmjet kolegëve mbi hetimet financiare, konfiskimin në rastet e korrupsionit dhe funksionet e Zyrës për Rikthimin e Aseteve”.
Të lidhura
None found
Aktiviteti, i planifikuar për datat 3 dhe 4 shtator, synon të përmirësojë bashkëpunimin institucional e ndërkombëtar në hetimin financiar, zbulimin, sekuestrimin, konfiskimin dhe kthimin e pasurive të siguruara në kundërshtim me ligjin.
Hapjen e punëtorisë e ndoqën përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere, mes tyre Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, si dhe Përfaqësuesi Rajonal i UNODC-së për Evropën Juglindore, Danilo Rizzi.
Mes pjesëmarrësve të ditës së parë ishin edhe Bahri Hyseni, Udhëheqës i Zyrës për Rikthimin e Aseteve dhe prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, si dhe kryeprokurorët e prokurorive themelore.
Temat e trajtuara gjatë sesioneve përfshinë hetimet financiare në çështjet e korrupsionit, korrupsionin në sektorin publik dhe procedimin e pastrimit të parave si vepër penale të veçantë.
Diskutimet u shoqëruan me paraqitjen e rasteve konkrete dhe praktikave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me fondet publike, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe ndërmarrjet publike. Përvojat u prezantuan nga përfaqësues të Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Në punëtori kontribuuan gjithashtu përfaqësues të SPAK-ut të Shqipërisë, Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorisë Kantonale të Kantonit të Sarajevës.
Dita e parë u mbyll me diskutime, pyetje dhe përgjigje të mbështetura në raste konkrete. Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre profesionale dhe analizuan vështirësitë praktike që shfaqen gjatë hetimeve financiare, procedurave për korrupsionin dhe rasteve të pastrimit të parave.
Organizatorët bëjnë të ditur se kjo punëtori ka për synim rritjen e kapaciteteve profesionale, përhapjen e praktikave të mira dhe thellimin e bashkëpunimit në nivel vendor, rajonal e ndërkombëtar, për të rritur efikasitetin e hetimeve financiare, konfiskimit dhe rikthimit të pasurive të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.
