Djali 13-vjeçar, i cili u godit me thikë në zemër gjatë një përleshjeje në Çair, mbetet në gjendje të rëndë dhe po mjekohet në Njësinë e Kujdesit Intensiv të Qendrës Klinike.
Të lidhura
None found
Ai u dërgua në Qendrën e Urgjencës të hënën në mbrëmje dhe u operua menjëherë. Me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike, një gjyqtar i procedurës paraprake caktoi masa për garantimin e pranisë së të dyshuarit B.I., i cili dyshohet për dhunë ndaj një fëmije.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi sot se të dhënat e fundit që disponon janë nga dje. Sipas tij, 13-vjeçari është në gjendje të qëndrueshme, por jeta e tij vazhdon të jetë në rrezik. Ai theksoi si zhvillim pozitiv faktin se kinetika, përkatësisht lëvizja e zemrës, është në rregull, megjithëse gjendja mbetet kërcënuese për jetën.
Ngjarja e përgjakshme ndodhi tre ditë më parë, rreth orës 22:00, në rrugën “Brigada Maqedonase-Kosovare” në Çair të Shkupit. I dyshuari dhe vëllai i tij i mitur, i cili nuk e ka arritur moshën ligjore për përgjegjësi penale, plagosën rëndë me thikë 13-vjeçarin dhe një person të rritur, ndërsa një fëmijë tjetër pësoi lëndime të lehta.
Në përleshje morën pjesë pesë persona, prej të cilëve vetëm njëri ishte i rritur, ndërsa u përdorën thika dhe shkopinj bejsbolli. Klekovski bëri të ditur se gjendja e djalit vazhdon të jetë e rëndë dhe se mjekët kanë ndërmarrë gjithçka që kishin në mundësi./Telegrafi/
