Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet pas zbulimit të disa lëndëve shpërthyese në një nënstacion energjetik në Turnow-Preilack, në Brandenburg, pranë termocentralit me qymyr Jänschwalde.
Të lidhura
None found
“Provat po sigurohen”, deklaroi një zëdhënës i policisë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, duke shtuar se në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertë për çaktivizimin e bombave.
Ngjarja u bë publike pasi mëngjesin e sotëm u evidentuan dëmtime në një linjë energjetike, raportoi gazeta Die Welt. Sipas mediumit lokal Märkische Allgemeine, lëndët shpërthyese u gjetën dhe u çaktivizuan në vendin e ngjarjes. Policia bëri të ditur se nuk kishte rrezik për qytetarët.
Hetuesit dyshojnë se lëndët shpërthyese mund të jenë vendosur me synimin për të shkaktuar një ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike. Megjithatë, operatori i rrjetit 50Hertz i tha MAZ se shërbimet pësuan vetëm një “ndërprerje të shkurtër”.
Sipas raportimeve, persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë dëmtuar disa linja energjetike të rrjetit të transmetimit të 50Hertz.
Deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për autorët e mundshëm apo motivin e incidentit. Për pasojë, mbetet e paqartë nëse ngjarja në Brandenburg lidhet me incidentin e raportuar në aeroportin e Leipzig-ut.
