Arrestohet drejtuesi i Policisë Kriminale në Serbi, dyshohet për manipulim hetimesh dhe keqtrajtim protestuesish pas fitores së opozitës studentore

Marko Kriçak, kreu i Policisë Kriminale Serbe, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë, një javë pasi lista opozitare e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Së bashku me të është ndaluar edhe zëvendësi i tij, Bosko Sekuloviç. Të dy zyrtarët dyshohen për shpërdorim detyre, raportojnë mediat serbe duke iu referuar agjencisë shtetërore të lajmeve Tanjug.

Të lidhura

None found

Kriçak, i cili konsiderohet një prej njerëzve më të afërt dhe më të preferuar të presidentit Aleksandar Vuçiç, u arrestua në një moment delikat për zhvillimet politike në vend.

Në zgjedhjet e së dielës së kaluar, opozita e mbështetur nga studentët siguroi shumicën e vendeve në parlament, duke kaluar në opozitë koalicionin qeverisës që prej vitesh drejtohej nga Vuçiç. Edhe pse pushteti ende nuk është transferuar, ngjarjet e fundit tregojnë për lëkundje brenda strukturave që kanë mbështetur presidentin serb.

Sipas Tanjug, Kriçak akuzohet se ka penguar dhe manipuluar hetimet për një vrasje të lidhur me mafian. Dyshimi i Prokurorisë është se ai ka ndërhyrë në prova për të bërë të mundur tërheqjen e akuzave ndaj personave të dyshuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Rruga e Kriçakut drejt majës së strukturave të sigurisë nisi larg posteve drejtuese. Ai kishte punuar fillimisht si shitës makinash, përpara se të rekrutohej në Agjencinë e Inteligjencës së Brendshme të Serbisë (BIA), ku njihej si përkrahës besnik i Partisë Progresive Serbe (SNS) të presidentit.

Në korrik të vitit 2023, Kriçaku u vendos në krye të Njësisë së Mbrojtjes Personale të Policisë Serbe (JZO). Në fund të vitit 2025, ai u emërua drejtues i Policisë Kriminale.

Përveç akuzave për ndërhyrje në hetimin e vrasjes me lidhje mafioze, Prokuroria e dyshon edhe për keqtrajtim dhe intimidim të protestuesve paqësorë.

Një nga rastet e përfshira në akuzat ndaj tij i referohet gushtit të vitit 2025. Sipas dyshimeve, efektivë të Njësisë së Mbrojtjes Personale të Policisë kapën me forcë një grup studentësh dhe i çuan drejt bodrumeve të një godine qeveritare në Beograd.

Në atë periudhë, Kriçak ishte drejtues i kësaj njësie dhe dyshohet se e kishte komanduar vetë operacionin. Akuzat thonë se ai goditi një studente dhe e kërcënoi atë me përdhunim.

Ndalimi i tij shihet si një ngjarje me peshë në realitetin e ri politik serb, pasi fitorja e opozitës studentore ka vënë në pikëpyetje ndikimin e mëtejshëm të strukturave që kanë garantuar pushtetin e deritanishëm.


Shtuar më 1.11.2026 14:08