Një festë Halloween-i në Chandler’s Ford, pranë qytetit Eastleigh në jug të Anglisë, përfundoi me pesë adoleshentë të plagosur rëndë. Të rinjtë janë 16 dhe 17 vjeç.
Sulmi ndodhi të shtunën, pak pas orës 22:30, në Park Road. Sipas dyshimeve, disa persona të paidentifikuar hynë në ambientet ku mbahej festa dhe më pas ndodhën goditjet me thikë.
Të lidhura
None found
Policia e Hampshire bëri të ditur se mes të plagosurve janë tre djem 16-vjeçarë dhe dy adoleshentë 17-vjeçarë. Të pestë u dërguan në spital për trajtim mjekësor.
Dëshmitarë i thanë BBC-së se në vendngjarje shkuan disa ambulanca. Një prej tyre tregoi se kishte parë një person të dilte me vrap nga banesa, duke thirrur se e kishin goditur me thikë dhe se dy persona po e ndiqnin.
Autoritetet kanë rrethuar zonën me kordon sigurie, ndërsa vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar autorët. Policia u ka kërkuar dëshmitarëve dhe kujtdo që ka informacion të kontaktojë me të.
Inspektorja detektive Elizabeth Pirie, e cila drejton hetimin, tha se e kupton shqetësimin e banorëve. Ajo falënderoi komunitetin për bashkëpunimin dhe durimin.
Deputetja e Eastleigh, Liz Jarvis, shprehu mbështetjen e saj për të plagosurit dhe familjet e tyre, si dhe falënderoi policinë dhe shërbimet e emergjencës për ndërhyrjen e shpejtë.
Jarvis u bëri thirrje qytetarëve të mos spekulojnë dhe të mos shpërndajnë informacione që nuk janë konfirmuar.







