Maurizio Dalla Chiara, babai i Jessica-s, 32-vjeçares që ndërroi jetë në Itali në qershor të vitit 2024, ka folur pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Nadir Rossi. Ish-infermieri 35-vjeçar dyshohet për vrasjen e gruas me dashje dhe në mënyrë të paramenduar, përmes injektimit të insulinës.
Duke folur në emisionin italian “Dentro la Notizia”, babai i viktimës tha se kishte pasur dyshime për dhëndrin që në fillim. Ai përshkroi sjelljen e Rossit si tepër pasive dhe të ftohtë, ndërsa theksoi se arrestimi i tij nuk e ka zbutur dhimbjen e familjes.
Të lidhura
None found
“Mendoja se do të ndihesha i gëzuar, por edhe sot përjetoj të njëjtën dhimbje si dy vjet e gjysmë më parë”, deklaroi Maurizio.
Sipas tij, Rossi nuk kishte shfaqur emocione as në momentet më të rënda. “Nuk e kam parë asnjëherë të derdhë lot, as kur bashkëshortja e tij ishte e shtrirë në tokë pa shenja jete, as në funeral apo në ndonjë rast tjetër”, rrëfeu babai i Jessica-s.
Hetimet e Prokurorisë së Veronës dyshojnë se Jessica, e cila punonte si infermiere, është helmuar në mënyrë të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj me insulinë. Sipas akuzës, administrimi i ilaçit ka ndodhur fillimisht në banesë dhe më pas edhe në spitalin ku ajo ishte shtruar, duke i shkaktuar një krizë të rëndë hipoglicemie.

Maurizio foli edhe për çastet e fundit të jetës së së bijës. Ai tha se, ndërsa Jessica po luftonte për të mbijetuar në banesë, bashkëshorti i saj dyshohet se ishte marrë me zhdukjen e shpejtë të flakonëve të ilaçeve.
“I mblodhi të gjitha në një qese dhe më pas i hodhi në mbeturina, sikur të përpiqej të fshihte diçka”, tregoi ai, duke iu referuar dëshmisë që kishte marrë nga ish-bashkëshortja e tij, Loretta, nëna e Jessica-s.
Familja është tronditur edhe nga ekzistenca e një police sigurimi jete me vlerë 100 mijë euro, të cilën Rossi dyshohet se e ka marrë pas vdekjes së gruas.
Babai i viktimës tha se nuk kishte qenë në dijeni të sigurimit. Ai kishte menduar se polica lidhej me mbulimin e kredisë hipotekore për apartamentin e blerë nga çifti. Maurizio ngriti dyshime edhe për vendimin që trupi i vajzës të digjej pa iu kryer më parë autopsia.
Sipas rrëfimit të tij, në periudhën e fundit të jetës Jessica ishte përfshirë nga ankthi dhe frika për shëndetin. “Nuk mund të flinte, kishte frikë se mos vdiste dhe për këtë arsye vinte alarmin çdo dy orë. Ajo vazhdonte të konsumonte sheqer për të mbajtur nën kontroll insulinën”, tha ai.
Prokuroria pretendon se Nadir Rossi i ka dhënë insulinë në mënyrë të përsëritur, duke sjellë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Rossi, 35 vjeç, ish-infermier nga Bussolengo në provincën e Veronës, akuzohet për vrasje me dashje dhe të paramenduar. Të hënën pritet të merret në pyetje nga gjyqtari, përpara të cilit do të ketë mundësinë të paraqesë versionin e tij për ngjarjen dhe akuzat. Hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e vdekjes së 32-vjeçares.








