Një gjykatë federale amerikane ka hedhur poshtë përfundimisht padinë prej 10 miliardë dollarësh të presidentit Donald Trump kundër “The Wall Street Journal”, pas një artikulli ku pretendohej se ai kishte shkruar një letër me përmbajtje sugjestive për financierin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Gjykatësi Darrin Gayles vendosi se pretendimet e presidentit nuk mbështeteshin nga prova të mjaftueshme. Sipas tij, çështja binte gjithashtu ndesh me parimet e Amendamentit të Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që mbron lirinë e shprehjes dhe të shtypit.
Të lidhura
None found
Trump kishte paditur kompaninë mëmë të gazetës, Dow Jones, si edhe drejtuesin e saj, Rupert Murdoch. Padia lidhej me një shkrim për një letër që, sipas pretendimit të gazetës, presidenti amerikan ia kishte dërguar Epstein në vitin 2003, me rastin e 50-vjetorit të lindjes së tij.
Presidenti e ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka shkruar ose firmosur dokumentin. Letra përmbante disa formulime sugjestive dhe një skicë që paraqiste konturin e trupit të një gruaje të zhveshur.
Kjo është hera e dytë që rrëzohet padia e Trump për shpifje. Në versionin e parë, ai kishte kërkuar 20 miliardë dollarë dëmshpërblim, ndërsa pas rrëzimit të çështjes, ekipi i tij ligjor e paraqiti sërish duke e ulur kërkesën në 10 miliardë dollarë.
Vendimi i fundit u mor “me efekt përfundimtar”, çka nënkupton se e njëjta padi nuk mund të depozitohet përsëri në këtë formë.
Në vendimin e tij prej 20 faqesh, gjykatësi Gayles vlerësoi procesin hetimor të gazetës, duke e cilësuar si një punë “të kujdesshme dhe të detajuar”. Ai theksoi se avokatët e Trump nuk arritën të tregonin se gazeta kishte publikuar të dhëna të pavërteta duke e ditur se ishin të tilla, ose duke shpërfillur me vetëdije mundësinë që ato të ishin të rreme.
Gayles e karakterizoi padinë si një përpjekje për të “kapur çdo fije të mundshme” dhe për të prodhuar artificialisht të meta në punën e gazetarëve.
Sipas ligjit amerikan, një figurë publike që ngre një padi për shpifje duhet të provojë se media ka vepruar me “keqdashje të vërtetë” (actual malice). Ky kriter kërkon të dëshmohet se publikuesi e dinte se informacioni ishte i rremë ose se kishte vepruar me shpërfillje të pamatur ndaj së vërtetës.
Avokatët e Trump pretenduan se “Wall Street Journal” duhej të kishte hequr dorë nga publikimi, pasi presidenti e kishte mohuar autorësinë e letrës kur ishte kontaktuar nga gazeta. Sipas tyre, mohimi duhej të mjaftonte, pavarësisht materialeve të tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Gjykatësi e refuzoi këtë arsyetim, duke sqaruar se standardi ligjor për shpifjen nuk i detyron gazetarët ta braktisin një publikim vetëm sepse një figurë publike mohon një pretendim.
Në vendim, ai paralajmëroi se pranimi i një interpretimi të tillë do të sillte pasoja për lirinë e medias. Çdo personazh publik ose përfaqësues i tij do të mund të bllokonte automatikisht publikimin e të dhënave kritike apo të atyre që kundërshtojnë deklaratat e tij, thjesht duke mohuar akuzën.
Sipas gjykatësit, një përfundim i tillë do të binte ndesh me mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara.
Dokumenti i përfolur për Epstein
Shkrimi i “Wall Street Journal” trajtonte një libër të përgatitur për 50-vjetorin e Jeffrey Epstein në vitin 2003, ku ishin mbledhur dedikime dhe mesazhe nga persona të ndryshëm.
Gazeta raportoi se letra që mbante emrin e Donald Trump përfshinte disa rreshta të shtypur në makinë shkrimi, të rrethuar nga figura e një gruaje të zhveshur. Konturi, sipas përshkrimit, dukej se ishte bërë me një marker të trashë.
Një nga frazat e përmendura në letër ishte shprehja ironike se “enigmat nuk plaken kurrë”. Mesazhi mbyllej me fjalët: “Një mik është një gjë e mrekullueshme. Gëzuar ditëlindjen – dhe u bëftë çdo ditë një tjetër sekret i mrekullueshëm”.
Trump ka deklaruar se nuk e ka shkruar dhe as firmosur letrën, duke pretenduar se dokumenti është i falsifikuar. Ai ka akuzuar gjithashtu gazetën se e publikoi atë me synimin për t’i dëmtuar reputacionin.
Çështja doli në publik në një periudhë kur administrata Trump po përballej me kritika të forta nga demokratët dhe republikanët për mënyrën e trajtimit të dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein.
Vendimi i fundit shënon një etapë të rëndësishme në përplasjen gjyqësore mes presidentit amerikan dhe një prej mediave kryesore të Shteteve të Bashkuara. Ai rikthen në fokus kufirin mes pretendimeve për shpifje dhe mbrojtjes kushtetuese që gëzon liria e medias.








