Pas analizës dyditore të zhvilluar në Pogradec me thirrjen e Edi Ramës, ku u përcaktuan prioritetet e qeverisjes deri në vitin 2030, Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula zhvilloi një takim pune me kryeinspektorët dhe drejtorët e përgjithshëm të inspektorateve qendrore. Gjatë takimit, ai u prezantoi drejtuesve objektivat kryesore të punës dhe fushat ku duhet të përqendrohet bashkëpunimi institucional mes Inspektoratit të Përgjithshëm dhe strukturave qendrore të inspektimit.
Diskutimet u përqendruan te nevoja për një koordinim më të mirë institucional, unifikimi i mënyrës së ushtrimit të veprimtarisë inspektuese dhe zbatimi i kuadrit të ri ligjor për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
Të lidhura
None found
Gjatë bisedës u rikujtua se Inspektorati i Përgjithshëm ka përgjegjësi për mbikëqyrjen, bashkërendimin, standardizimin dhe vlerësimin e sistemit të inspektimit, në përputhje me kompetencat që i njeh legjislacioni në fuqi. Në të njëjtën kohë, u kërkua që të gjitha strukturat inspektuese të punojnë në mënyrë të koordinuar dhe të zbatojnë standarde e metodologji të njëjta në të gjithë territorin e vendit.
Dashnor Sula theksoi rëndësinë e garantimit të ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë gjatë veprimtarisë inspektuese. Ai nënvizoi gjithashtu se administrata duhet ta orientojë punën drejt rezultateve konkrete për qytetarët dhe bizneset. Në këtë kuadër, u diskutua edhe për trajtimin sa më efektiv të ankesave dhe përdorimin e të dhënave që ato përmbajnë për analizën e riskut dhe përmirësimin e planifikimit të kontrolleve.
Një pjesë e takimit iu kushtua pasqyrës së situatës aktuale në sistemin e inspektimit. Nga 15 korrik deri më 24 gusht janë kryer 106 mbikëqyrje të procedurave të inspektimit, ndërsa janë administruar rreth 400 praktika ankimore. Sa i përket rekrutimeve, gjatë periudhës mars–gusht janë plotësuar 48 pozicione.
Puna vijon edhe për plotësimin e vendeve të lira, si dhe për sigurimin e respektimit të kërkesave ligjore në proceset e emërimit dhe të zhvillimit të karrierës.
Për periudhën e ardhshme u përcaktuan si prioritete unifikimi i praktikave inspektuese, respektimi rigoroz i procedurave, dokumentimi i plotë i veprimeve dhe vendimmarrjeve, forcimi i meritokracisë në rekrutime dhe rritja e përgjegjshmërisë së trupave inspektuese.
Për të përmirësuar bashkërendimin institucional, Inspektorati i Përgjithshëm do të organizojë takime periodike me kryeinspektorët, drejtorët e përgjithshëm dhe kryeinspektorët rajonalë. Po ashtu, do të shtohet bashkëpunimi me inspektoratet për shkëmbimin e informacionit, zgjidhjen e problematikave dhe standardizimin e praktikave të inspektimit.
Inspektorati i Përgjithshëm deklaron se mbetet i angazhuar për krijimin e një sistemi inspektimi profesional, transparent, të unifikuar dhe të orientuar nga rezultatet, në funksion të qytetarëve, bizneseve dhe interesit publik.
