Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë pasditen e sotme zonën mes fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht të Bashkisë Librazhd. Flakët po djegin një masiv pyjor me akacie dhe shkurre.
Zjarri ka nisur që prej mesditës dhe, i favorizuar nga terreni dhe bimësia e thatë, është përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke prekur një sipërfaqe të konsiderueshme.
Të lidhura
None found
Rreziku është shtuar veçanërisht pas orës 17:00, kur flakët janë afruar pranë banesave në zonën e ish-stacionit hekurudhor të Xhyrës, si edhe pranë rrugës kombëtare Librazhd-Prrenjas.
Për të përballuar situatën dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara, në terren janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe forca të MZSH-së nga Librazhdi, Elbasani, Gramshi dhe Cërriku. Ekipet po punojnë për të ndalur avancimin e flakëve dhe për të mbrojtur banesat e objektet pranë vatrës së zjarrit.
