Pas një seance të gjatë dhe me përplasje të forta mes palëve, trupa gjykuese e GJKKO-së është tërhequr për të vendosur lidhur me masën e sigurisë ndaj Ergys Agasit. Prokuroria ka kërkuar që ndaj biznesmenit të vijojë masa “arrest me burg”, duke pretenduar se në dosje disponohen prova të forta për akuzat e pastrimit të parave dhe ndikimit në tendera.
Një pjesë e rëndësishme e materialeve të paraqitura nga akuza janë disa video të regjistruara në zyrën e Agasit. Sipas prokurorisë, pamjet janë filmuar nga vetë Ergys Agasi dhe tregojnë takime me persona të ndryshëm, të cilat janë përfshirë në dosjen hetimore.
Të lidhura
None found
Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, i ka kundërshtuar këto pretendime. Sipas mbrojtjes, nuk ekzistojnë prova konkrete që ta lidhin klientin e tij me veprat penale për të cilat ai po hetohet dhe akuzohet.
Gjatë seancës, mbrojtja ka kërkuar edhe akses në dosjen hetimore, kërkesë që ka sjellë ndërprerjen e procesit.
Me përfundimin e debateve, gjykata nuk e ka komunikuar ende vendimin, por është tërhequr në dhomën e këshillimit. Vendimi për masën e sigurisë ndaj Ergys Agasit pritet të merret në vijim. Ai u arrestua dy ditë më parë në zonën e Plepave, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
