Policia e Kosovës ka bërë sërish apel për ndihmën e qytetarëve në përpjekje për të lokalizuar Xhafer Raqin, nga Prishtina, i cili është raportuar i zhdukur që prej 2 korrikut.
Të lidhura
None found
Megjithëse operacionet e kërkimit dhe veprimet hetimore vazhdojnë, autoritetet thonë se ende nuk kanë mundur të sigurojnë gjurmë për vendndodhjen e tij. Pas autorizimit të marrë nga prokurori i shtetit, policia u ka kërkuar qytetarëve të kontribuojnë me çdo të dhënë që mund të ndihmojë.
Sipas njoftimit zyrtar, në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, më 02.07.2026, është denoncuar zhdukja e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948.
Që nga momenti i raportimit, njësitet hetimore të policisë, njësiti i kërkim-shpëtimit i FSK-së dhe patrullat, në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të afërt me familjarët, kanë zhvilluar një sërë veprimesh.
Mes masave të ndërmarra kanë qenë marrja në pyetje e personave që mund të japin të dhëna për vendndodhjen e tij, verifikimi i hyrje-daljeve në të gjitha pikat kufitare, si dhe kontrollet në zonat që Raqi frekuentonte zakonisht, në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Gjithashtu, autoritetet kanë shqyrtuar dhe hetuar çdo informacion që mund të lidhet me personin e zhdukur.
Policia u bën thirrje të gjithë atyre që disponojnë çfarëdo informacioni për Xhafer Raqin, që ta përcjellin atë përmes numrit 192 ose adresës elektronike [email protected].
