Aston Villa dhe Al Hilal kanë gjetur gjuhën e përbashkët për transferimin e sulmuesit anglez Ollie Watkins, duke i hapur rrugën një operacioni të rëndësishëm në ditët e fundit të afatit kalimtar.
Fabrizio Romano raporton se klubi anglez ka miratuar ofertën me vlerë 58.4 milionë euro, së cilës mund t’i shtohen edhe 2 milionë euro të tjera në formë bonusesh për reprezentuesin e Anglisë. Watkins pritet të niset gjatë kësaj jave për në Arabinë Saudite, ndërsa raportohet se preferenca e tij ishte kalimi pikërisht te Al Hilal.
Të lidhura
None found
E ardhmja e sulmuesit kishte nxitur shumë spekulime ditët e fundit. Ai nuk ishte pjesë e Aston Villas në ndeshjen hapëse kundër Brightonit, teksa interesimi i Al Hilalit për shërbimet e tij po bëhej gjithnjë e më konkret.
Në të njëjtën kohë, drejtuesit e Aston Villas kanë identifikuar te Chelsea futbollistin që pritet të plotësojë boshllëkun e lënë nga Watkins.
Klubi nga Birminghami ka bërë përparim të ndjeshëm në bisedimet për Nicolas Jackson dhe transferimi i sulmuesit senegalez tashmë ndodhet në fazën përfundimtare. Për kartonin e tij, Chelsea kërkon rreth 70 milionë euro.
Jackson mësohet se e ka miratuar mundësinë e kësaj lëvizjeje dhe ka zhvilluar bisedime me trajnerin Unai Emery. Tekniku e njeh mirë atë që nga periudha kur sulmuesi aktivizohej te Villarreal.
Nëse të dyja operacionet mbyllen sipas parashikimeve, Aston Villa do të ndahet me Watkinsin dhe do ta zëvendësojë me Nicolas Jackson, në atë që pritet të jetë një nga rokadat më tërheqëse të ditëve të fundit të afatit kalimtar.
