Një kirurg plastik i sugjeroi kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen, të korrigjonte një shenjë të vogël në hundë, por ajo zgjodhi t’i përgjigjej publikisht këtij komenti.
Të lidhura
None found
Frederiksen, 48 vjeçe, ndau në Instagram një pamje të komunikimit me mjekun dhe i shkroi: “Oh jo. Jam e lumtur me trupin tim”.
Kryeministrja tregoi se komentet për pamjen e saj nuk janë diçka e re. Gjatë viteve, ajo ka marrë mesazhe lidhur me dhëmbët, flokët dhe shenjën në hundë, ndërsa disa njerëz i kanë këshilluar edhe të përdorë Botox. “Kam humbur numërimin se sa mesazhe kam marrë gjatë viteve në lidhje me pamjen time”, deklaroi Frederiksen.

Ajo nënvizoi se ndihet krejtësisht mirë me trupin e saj dhe se gratë që kanë një rol publik shpesh gjykohen për pamjen e jashtme. “Jam absolutisht mirë me trupin tim, siç është kur je një grua që i afrohet të 50-ave”, u shpreh ajo.
Frederiksen tha se i mirëpret komunikimet me qytetarët për çështje të ndryshme, megjithëse do të dëshironte që vëmendja të drejtohej te tema më me rëndësi. “Nëse do të më shkruash, dhe je më se i mirëpritur ta bësh, shpresoj se do ta përdorësh kohën tënde për të folur për diçka më të rëndësishme. Jo për hundën time”, shkroi kryeministrja.
Mesazhin e saj ajo e mbylli duke shprehur solidaritet me gratë që përballen çdo ditë me vërejtje për pamjen. “Sot ju dërgoj një mendim të veçantë dashurie të gjithëve ju që duhet të duroni ‘papërsosmëritë perfekte’ me të cilat përballemi çdo ditë”, përfundoi Frederiksen.
