Ish-ambasadori amerikan William G. Walker u ka dërguar letra Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut, Bedri Hamzës dhe Ardian Gjinit, duke u propozuar që Faton “Tony” Bislimi të jetë kandidati për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Të lidhura
None found
Në shkresat drejtuar katër liderëve politikë, të cilat i ka siguruar Kanal10, Walker ngre shqetësimin për ngecjen e procesit kushtetues të zgjedhjes së presidentit të ri. Sipas tij, Kosovës i duhet një figurë me cilësi të veçanta, përvojë në arenën ndërkombëtare dhe përkushtim ndaj vendit.
Walker bën të ditur se ka dëgjuar disa emra si kandidatë të mundshëm për këtë detyrë. Megjithatë, ai vlerëson se Bislimi ka përvojën, aftësitë dhe personalitetin e domosdoshëm për ta ushtruar postin e presidentit.
“Sipas mendimit tim, nga të gjithë emrat e mundshëm, Tony i ka të gjitha aftësitë e nevojshme dhe personalitetin për të qenë një president i suksesshëm”, shkruan Walker.
Në argumentimin e propozimit të tij, ish-ambasadori rendit gjashtë tipare që e bëjnë Bislimin të duhur për këtë pozitë: njohjen e botës jashtë Kosovës, përgatitjen akademike, zotërimin e gjuhëve, njohuritë e thelluara mbi historinë dhe zhvillimet politike të Kosovës, personalitetin, si dhe mundësinë për t’u pranuar si kandidat konsensual.
Walker nënvizon në mënyrë të veçantë se Kosovës i nevojitet një president që përfaqëson të gjithë vendin dhe jo vetëm një parti apo një orientim të caktuar politik.
