BDI-ja pretendon se një tjetër skandal po shfaqet gjatë qeverisjes së VLEN-it. Sipas kësaj partie, kontrata publike e Spitalit Psikiatrik “Bardovci”, e cila kap një vlerë vjetore deri në 42 mijë euro, është fituar nga kompania që zotërohet prej kushëririt të drejtorit të institucionit.
Të lidhura
None found
Nga BDI-ja deklarojnë se, bazuar në informacionet e bëra publike, Besim Avdullai, pronar i “Indigo Inc” DOOEL Shkup, ka lidhje familjare me drejtorin Isa Avdullai. Ata theksojnë se edhe vetë drejtori e ka pranuar këtë raport farefisnor, duke sqaruar se bëhet fjalë për kushëri të dytë ose të tretë.
Sipas partisë, kontrata përfshin mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë, licencimin e 300 kutive të postës elektronike, monitorimin e 300 kompjuterëve ose serverëve, një firewall të gjeneratës së re, si dhe shërbime të tjera në fushën e teknologjisë informative. Shuma maksimale e parashikuar arrin në 2,59 milionë denarë, përkatësisht rreth 42 mijë euro.
BDI-ja nënvizon se drejtori e konsideron procedurën të ligjshme, me arsyetimin se nuk ka marrë pjesë në komisionin që ka bërë përzgjedhjen. Megjithatë, partia kërkon të sqarohet nëse konflikti i mundshëm i interesit është verifikuar dhe trajtuar si duhet, duke qenë se kompania fituese është në pronësi të kushëririt të tij.
Për këtë arsye, BDI-ja kërkon reagim të menjëhershëm nga Komisioni Antikorrupsion, Byroja e Prokurimeve Publike dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Sipas saj, duhet të shqyrtohen në tërësi procedura, ofertat, kriteret, pjesëmarrësit dhe çdo rrethanë që mund të ketë ndikuar në zgjedhjen e kompanisë fituese.
