Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist u ka bërë thirrje qytetarëve për një revoltë kombëtare, në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë.
Tubimi është njoftuar për sot, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Prej aty, protestuesit planifikojnë të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, Kolektivi ka akuzuar institucionet e Kosovës se nuk i japin rëndësinë e duhur jetës dhe sigurisë së grave.
“Vrasja me sopatë e një gruaje prej kunatit mbrëmë është alarmi për luftën që iu është shpallur grave. Sikurse rastet tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila e kishte lutur për ndihmë një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave. Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit i cili nuk iu beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shoh parësisht si prona të burrave”, thuhet në thirrjen e organizatës.
Kolektivi thekson se, ashtu si në raste të tjera të femicidit, edhe vrasja e Zekajt ishte paralajmëruar nga ajo vetë, pasi kishte kërkuar ndihmë te institucionet.
Sipas organizatës, dhuna ndaj grave buron nga patriarkia në shoqëri dhe nga neglizhenca institucionale. Për këtë të fundit, ajo kërkon që institucionet të japin llogari.
Kolektivi njofton se protestat do të vazhdojnë të mërkurën, të enjten, të premten dhe në ditët pasuese, me bllokime të institucioneve. Në thirrjen e tij thuhet: “Andaj, të mërkurën, të enjten, të premten e ditët në vijim, ne do dalim rrugëve, e do bllokojmë institucione sepse është momenti i fundit që ky shtet të jap llogari. Nisemi prej sheshit Zahiri, te Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e deri te Qeveria”. Organizata ka kërkuar organizim dhe solidarizim në nivel kombëtar.
Qytetarët janë ftuar t’i bashkohen protestës, ndërsa institucioneve u kërkohet të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e grave nga dhuna.






