Pas ndryshimeve në përbërjen e kabinetit qeveritar, kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se në periudhën e ardhshme pritet të zëvendësohen edhe një pjesë e drejtorëve. Për këtë çështje, sipas tij, janë zhvilluar diskutime me partnerët e koalicionit.
Të lidhura
None found
“Emrat do të bëhen të ditur në periudhën që vjen”, deklaroi shkurt Mickoski.
Kryeministri kishte njoftuar në korrik të këtij viti se bisedimet për emërimet e drejtorëve do të përfundonin deri në mbyllje të verës. Vëmendje e veçantë i është kushtuar nivelit lokal, ku është shqyrtuar edhe puna e ndërmarrjeve publike.
“Pas kësaj do të vijojmë me strukturat e tjera, përfshirë edhe nivelin lokal. Atje kemi një numër të madh drejtorësh të ndërmarrjeve publike dhe kemi vlerësimin tonë për punën e disa prej tyre. Në disa vende mund të bëjmë më mirë”, kishte thënë ai.
“Ky proces i rikonstruimit, në mënyrë të thellë dhe thelbësore, do të sjellë shumë ndryshime deri në fund të verës”, deklaroi Mickoski më 20 qershor të këtij viti.
Ndërkohë, në VMRO-DPMNE vazhdon deri në fund të shtatorit procesi i anëtarësimit dhe i përditësimit të të dhënave të anëtarësisë së partisë.
Ndryshimet po bëhen në mes të mandatit, pas rikonstruimit të gjerë që kryeministri realizoi në eshalonin e parë të qeverisë. Partnerët e koalicionit VMRO-VLEN-ZNAM janë ripozicionuar në resorë të ndryshëm. VLEN mori drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, Kulturës dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, por nuk mban më Shëndetësinë, Politikën Sociale dhe postin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të mirë. ZNAM drejton Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa Ivan Stoillkoviqi, nga partia serbe, është në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. /Alsat.mk
