Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, thellimi i bashkëpunimit në rajon dhe reforma e Shërbimit të Jashtëm janë ndër drejtimet kryesore të diplomacisë shqiptare në periudhën e ardhshme, sipas ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Gjatë Seminarit të Qeverisë në Pogradec, Hoxha deklaroi se ky takim shërben për një shqyrtim të hollësishëm të punës, përtej përditshmërisë dhe rutinës, si edhe për vendosjen e prioriteteve të qarta deri në fund të vitit, përfshirë fushën e politikës së jashtme.
Të lidhura
None found
Në një postim në X, ministri vlerësoi se vijimi me sukses i rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbetet synimi kryesor. Sipas tij, ky proces kërkon ritëm më të lartë pune, përqendrim të qartë dhe angazhim të plotë nga diplomacia.
Ai theksoi gjithashtu se do të shtohen investimet për forcimin e bashkëpunimit rajonal, me synimin që Ballkani Perëndimor të jetë më i stabilizuar, më i ndërlidhur, më i qëndrueshëm dhe më pranë Evropës.
Në prioritetet e shpallura përfshihet edhe thjeshtimi dhe modernizimi i mëtejshëm i shërbimeve konsullore, në mënyrë që ato të jenë më të shpejta, më të aksesueshme dhe gjithnjë e më të orientuara drejt qytetarit.
Hoxha nënvizoi se vëmendje e posaçme do t’i kushtohet vazhdimit të reformës në Shërbimin e Jashtëm, për të ndërtuar një diplomaci moderne, profesionale dhe meritokratike. Sipas tij, kjo kërkon një trupë diplomatike të aftë, të zhdërvjellët dhe të përkushtuar për përfaqësimin dinjitoz të vendit, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe krijimin e një vlere më të madhe për Shqipërinë.
Kjo do të synojë më shumë ndikim për imazhin e vendit dhe promovimin e tij kulturor e shoqëror, më shumë lidhje me ekonominë dhe tregtinë, më shumë ndërlidhje, partneritete e mundësi, si dhe rezultate më konkrete për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.
“Një Shqipëri europiane kërkon edhe një diplomaci europiane”, u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
