Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë të ditur se janë ndryshuar procedurat për futjen në vend të mishit të gjedhit dhe të shpendëve me prejardhje nga Brazili. Këto ndryshime lidhen me masat e reja të Bashkimit Evropian për produktet me origjinë shtazore.
Sipas sqarimit të AKU-së, Brazili nuk figuron më në listën e shteteve të lejuara për të eksportuar drejt Bashkimit Evropian disa kategori kafshësh dhe produktesh shtazore të destinuara për konsum njerëzor.
Të lidhura
None found
Komisioni Evropian ka përcaktuar se rregullat e reja nuk prekin eksportet e realizuara nga vendet e treta para datës 3 shtator 2026.
Për këtë arsye, në Pikat e Kontrollit Kufitar do të pranohen edhe ngarkesat me mish gjedhi dhe shpendësh nga Brazili, në rast se certifikata zyrtare shëndetësore veterinare është firmosur dhe/ose lëshuar përpara 3 shtatorit 2026, pavarësisht se ato mund të mbërrijnë në territorin shqiptar pas kësaj date.
AKU deklaron se do të vazhdojë të mbikëqyrë dhe zbatojë kërkesat e legjislacionit në fuqi, për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të mbrojtur shëndetin publik.
