Teknologjia u përdor nga një 23-vjeçar në Nebraska të SHBA-së për të kërkuar mënyrën e grabitjes së një banke, por në fund të dhënat e ruajtura në telefon u kthyen në provat kryesore kundër tij.
Të lidhura
None found
Deron Lewis-Payne është dënuar me më shumë se 10 vite burg nga një gjykatë në Omaha, pasi u shpall fajtor për grabitjen e një banke të kryer në shkurt.
Ngjarja ndodhi pasi i riu hyri në institucionin financiar i armatosur me një pistoletë gjysmëautomatike. Ai kërcënoi arkëtarin dhe mori pak më shumë se 9 mijë dollarë, përpara se të largohej. Një pjesë të konsiderueshme të parave e shpenzoi më vonë për blerjen e rrobave dhe këpucëve në një qendër tregtare pranë bankës.
Identifikimi i tij u bë i mundur edhe falë pamjeve të kamerave të sigurisë. Lewis-Payne pranoi se kishte drejtuar makinën e shfaqur në regjistrimet e kamerave, por mohoi të kishte lidhje me grabitjen.
Pas marrjes së lejes për kontrollin e telefonit, hetuesit zbuluan materiale që e lidhnin drejtpërdrejt me veprën penale. Në historikun e shfletimit u gjetën kërkime të kryera në ChatGPT, përmes të cilave 23-vjeçari kishte kërkuar informacione se si mund të realizohej një grabitje banke.
Një tjetër gjurmë u gjet në Google Maps. Aty ishte regjistruar një kërkim për udhëzime drejt “I3 Bank”, banka që u sulmua.
Të dhënat e zbuluara në telefon, të kombinuara me provat e tjera të siguruara gjatë hetimit, rrëzuan dëshminë e Lewis-Payne dhe çuan në dënimin e tij me më shumë se një dekadë burgim.
Në këtë mënyrë, mjeti teknologjik që ai përdori për të kërkuar mënyrën e kryerjes së krimit, u shndërrua në një prej provave që e dërguan pas hekurave.
