Nëndetësja ruse “Khabarovsk”, e njohur me nofkën “nëndetësja e Apokalipsit” për shkak të kapacitetit për të transportuar torpedot bërthamore Poseidon, është futur për herë të parë në det për t’iu nënshtruar testeve. Lëvizja shihet si një tjetër shfaqje e kapaciteteve ushtarake të Moskës përballë Perëndimit.
Me një zhvendosje rreth 10 mijë tonë, “Khabarovsk” lundroi javën e kaluar drejt Detit të Bardhë, ku ka nisur provat për sistemin e saj të armatimit. Sipas të dhënave të publikuara nga Rusia, nëndetësja mund të pajiset me deri në gjashtë torpedo Poseidon, armë nënujore me energji bërthamore që Moska pretendon se mund të shkaktojnë dëme të mëdha në zonat bregdetare.
Të lidhura
None found
Raportohet se Poseidonët kanë rreze veprimi mbi 6 mijë milje, ose afërsisht 9,650 kilometra, ndërsa janë projektuar të lëvizin në thellësi të mëdha nën sipërfaqen e detit. Ekspertët kanë paralajmëruar se përdorimi i një arme të tillë të fuqishme bërthamore mund të sjellë pasoja të rënda për zonat bregdetare dhe ndotje radioaktive.
Testet e “Khabarovsk” zhvillohen në një klimë të acaruar mes Rusisë dhe Perëndimit, në një kohë kur Britania e Madhe vijon të mbështesë Ukrainën.
Televizioni shtetëror rus ka përcjellë gjithashtu kërcënime ndaj Londrës. Prezantuesi Vladimir Solovyov ka kërkuar që Britania të goditet me Poseidon, duke përdorur një gjuhë të ashpër kundër saj.
Paralajmërime ka bërë edhe ambasada ruse, e cila ka deklaruar se rritja e ndihmës britanike për Ukrainën do të shoqërohet me një “çmim” më të lartë për Britaninë e Madhe.
Kryeministri britanik Andy Burnham i ka hedhur poshtë këto kërcënime dhe ka theksuar se Londra nuk do ta ndërpresë mbështetjen për Ukrainën.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar më herët se Poseidoni nuk mund të kapet apo të ndalohet, duke thënë se “nuk ka asnjë mënyrë për ta ndaluar atë”. Megjithatë, ky pretendim nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Zhvillimi i programit Poseidon daton në fillim të viteve 2000 dhe Moska e ka paraqitur atë si një nga sistemet më të përparuara të arsenalit të saj bërthamor.
Ish-presidenti rus dhe zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, e ka përshkruar Poseidonin si një “armë të Apokalipsit”. Ndërkohë, mediat ruse kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur se kjo armë mund të përdoret kundër Britanisë së Madhe.
Analisti ushtarak Dr. Richard Connolly, specialist për Rusinë dhe bashkëpunëtor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara Britanike (RUSI), mendon se mënyra se si Moska e promovon Poseidonin lidhet më tepër me parandalimin bërthamor dhe propagandën sesa me një plan të drejtpërdrejtë për të sulmuar Britaninë.
Connolly vlerëson se një sulm rus ndaj Britanisë me një armë të tillë do të sillte një kundërpërgjigje bërthamore nga arsenali britanik Trident.
Sipas analistit, Poseidoni është një sistem shumë i specializuar dhe prodhohet në numër të kufizuar. Pavarësisht kësaj, vetëm ekzistenca e tij mund ta shtyjë NATO-n të shpenzojë shuma të konsiderueshme për krijimin e masave kundërvepruese.
“Jemi në një situatë shumë të rrezikshme tani”, ka paralajmëruar eksperti, duke shprehur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.
