Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka kërkuar që të tejkalohet ngërçi institucional, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për vendimmarrje dhe përgjegjësi politike.
Në reagimin e tij të fundit, Mustafa ka ngritur dilemen nëse pengesa lidhet me mungesën e votave apo me mungesën e guximit për krijimin e institucioneve.
Të lidhura
None found
Ai ka rikujtuar gjithashtu një qëndrim të shprehur prej tij në vitin 2017, kur u kërkonte liderëve politikë që interesat shtetërore t’i vendosnin mbi inatet politike, duke i dhënë përparësi luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.
“Edhe sot politika po shmang marrjen e një vendimi, pavarësisht se gjatë viteve të fundit VV i ka pasur votat e mjaftueshme në Kuvend për t’i ndërtuar institucionet”, ka shkruar Mustafa.
Sipas tij, pyetja që kërkon përgjigje është se përse ende nuk është marrë vendimi: “A mungojnë votat, apo mungon guximi për të marrë përgjegjësinë?”.
“Kosova ka nevojë për vendim, jo për zvarritje”, ka përfunduar ai.
Mustafa ka publikuar edhe një shkrim të datës 25 Gushtë 2017, të botuar në Gazeta Tribuna.
Në atë shkrim, ai shprehte keqardhje për nivelin politik të shfaqur në ditët e mëparshme, duke vlerësuar se inatet politike po vendoseshin përpara interesave shtetërore.
Mustafa theksonte se liderët e partive politike, në vend që të garonin se kush ishte më hero apo më keqpërdorues, duhej të përcaktonin prioritetet për Qeverinë e ardhshme.
Në një prononcim për Tribuna Channel, ai kishte deklaruar se hapi i parë i liderëve politikë duhej të ishte lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Vendosja e rendit dhe ligjit në vendin tonë duhet të jetë pa kompromis dhe të shndërrohet shpejt e sigurt në prioritetin numër një të shoqërisë, institucioneve dhe shtetit në tërësi. Krimet duhet të adresohen pa fleksibilitet dhe pa dallim”, kishte thënë Mustafa.
Ai kishte kërkuar që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të trajtohej si hapi i parë dhe kritik, në mënyrë që t’i hapej rrugë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe funksionimit të shtetit sipas normave evropiane.
Sipas deklarimit të tij, pasuritë dhe asetet e përfituara, përvetësuara apo uzurpuara në mënyrë të paligjshme duhej t’i ktheheshin pronarit legjitim, shtetit.
Mustafa kishte shtuar se pasuria e pamerituar e të gjithë atyre që kishin përfituar në mënyrë të paligjshme duhej t’i rikthehej shtetit.
“Përveç dënimeve të merituara, konfiskimi i pasurisë është masa më e përshtatshme ndëshkuese ndaj pasurisë së krijuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Njëherë e përgjithmonë duhet ta çrrënjosim këtë fenomen shkatërrues dhe t’ia rikthejmë vendit dinjitetin e merituar”, kishte deklaruar ai.
