Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, deklaroi se banimi social nuk mund të kufizohet vetëm te ndërtimi i objekteve, pasi ai përfaqëson një politikë që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve.
Të lidhura
None found
Sipas Hotit, Ligji për banim social dhe të përballueshëm e vendos çështjen e strehimit në lidhje të ngushtë me mirëqenien sociale, përfshirjen, sigurinë e familjes, punësimin, shëndetin dhe arsimin.
Ai theksoi se projekti nuk është thjesht një nismë ndërtimore, por mbi të gjitha një projekt social, pasi prek drejtpërdrejt familjet, mirëqenien e tyre dhe dinjitetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ministri në detyrë u shpreh se politika e banimit social duhet të përfshijë të gjitha kategoritë shoqërore dhe të përshtatet me nevojat e grupeve të ndryshme.
Hoti renditi ndër përfituesit potencialë familjet dhe individët me gjendje të pafavorshme ose të varfër ekonomike, përfituesit e asistencës sociale, familjet e mëdha, familjet me një prind, të papunët, personat e pa strehë, viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit. Në këtë listë përfshihen gjithashtu të rinjtë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, personat e zhvendosur dhe të riatdhesuar, komunitetet e ndryshme, si dhe fëmijët pa kujdesje prindërore pas daljes nga institucioni i strehimit.
Ai nënvizoi se strehimi është i lidhur drejtpërdrejt me punësimin dhe me mundësinë që familjet të largohen nga varfëria. Sipas tij, një pagë mujore nuk mjafton për të nxjerrë një familje nga varfëria; nevojiten edhe një shtëpi e sigurt, të ardhura të qëndrueshme dhe mundësi reale për punë e zhvillim për anëtarët e saj.
Hoti vlerësoi se investimet në banimin social përbëjnë njëkohësisht investime në sigurinë sociale dhe në ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve.
