Kompania kosovare Frutex ka njoftuar se tashmë është pronare e kompleksit historik “Nestor Hotel” në qytetin gjerman të Ludwigsburgut, duke shënuar një tjetër arritje ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
Objekti ikonik, i ndërtuar në vitin 1874, është një nga ndërtesat më të njohura të qytetit. Ai shtrihet në një sipërfaqe ndërtimore prej 13,500 metrash katrorë, mbi një parcelë me sipërfaqe totale prej 1.35 hektarësh. Kompleksi përmban 179 dhoma hoteli, një restorant, salla për evente dhe objekte të tjera përcjellëse që e plotësojnë ofertën e tij.
Sipas njoftimit të kompanisë, një pjesë e këtij kompleksi do të shërbejë si qendër koordinuese për aktivitetet e shitjes dhe zhvillimin e biznesit të produkteve Frutex në Gjermani dhe në tregjet evropiane. Ky hap synon të forcojë më tej praninë e kompanisë në rajon dhe të rrisë mbështetjen për partnerët e saj në Evropë.
Ky investim vjen si dëshmi e radhës e ambicieve në rritje të Frutex-it për t’u pozicionuar fuqishëm në tregjet ndërkombëtare, duke bashkuar trashëgiminë e një objekti historik gjerman me vizionin modern të zhvillimit të biznesit kosovar jashtë vendit.
Me këtë hap, Frutex regjistron një tjetër sukses në listën e arritjeve të veta, duke treguar se kompanitë kosovare janë të gatshme dhe të afta për të konkurruar e investuar me sukses edhe në tregjet evropiane.
