Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se deri në orën 14:00 të ditës së sotme janë evidentuar 10 vatra zjarri. Prej tyre, 7 janë ende aktive, ndërsa 2 ndodhen nën monitorim.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive janë raportuar në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.
Në Dajt zjarri është riaktivizuar, por ndërhyrja po vijon me 30 efektivë të FA, 1 helikopter, 13 forca të MZSH-së dhe 9 forca të AZM-së. Sipas të dhënave, banesat dhe zonat e banuara nuk kërcënohen.
Vatra në Lufaj të Mirditës mbetet aktive, por me intensitet të ulët. Në këtë zonë po punojnë Shërbimi Pyjor dhe MZSH.
Gjendja më e vështirë raportohet në hapësirën Gojan–Gjegjan, në Pukë, ku erërat e forta kanë ndihmuar përhapjen e flakëve. Ekipet në terren kanë vendosur në fokus mbrojtjen e banesave, ndërsa operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA, 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë dhe Qafë Helmes situata vijon të jetë e stabilizuar dhe këto vatra po monitorohen. Për momentin nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë vendin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe mjetet operacionale vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, në varësi të nevojave, duke pasur si përparësi mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
