Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojë gjatë ditëve në vijim një takim tjetër me LDK-në.
Të lidhura
None found
Sipas Haxhiut, partitë politike duhet të ulen në tryezë dhe të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka propozuar që bisedimet të nisin me emra konkretë për një kandidat konsensual, i cili nuk është anëtar i asnjë partie politike.
Haxhiu tha se ekziston një qëndrim i LDK-së për presidentin dhe se tashmë duhet të diskutohet për një figurë që mund të marrë mbështetje të përbashkët. Ajo shtoi se Kurti ka deklaruar se presidenti nuk duhet të vijë nga radhët e VV-së, pasi më herët ka pasur diskutime se VV-ja po këmbëngulte për një kandidat të saj.
Ajo theksoi se edhe LVV-ja është shprehur në favor të një presidenti konsensual, ndërsa u shpreh me shpresë që takimet ndërmjet partive të vazhdojnë dhe të zhvillohen sa më shpejt.
“Uroj që këtyre takimeve t’iu bashkohen edhe partitë e tjera politike”, deklaroi Haxhiu para mediave, duke shtuar se, sipas njoftimit të Kurtit, takimi me LDK-në do të mbahet shumë shpejt.
