Segmenti prej dhjetë kilometrash, i konsideruar si pjesa më e ndërlikuar e autostradës Kërçovë-Ohër, pritet të vihet në përdorim gjatë muajve të ardhshëm. Përfundimi i tërësishëm dhe funksionalizimi i autostradës janë parashikuar për në maj të vitit të ardhshëm.
Të lidhura
None found
Njoftimin e bëri sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë paraqitjes në emisionin “Vesti Plus” të televizionit Kanal 5. Ai sqaroi se, për shkak të numrit të madh të problemeve të trashëguara, shumica e kapaciteteve të Ministrisë janë përqendruar te ky projekt.
Sipas Nikolloskit, në këtë aks prej 10 kilometrash ndodhen galeri, ura, viadukte dhe tuneli që do të jetë më i gjati në shtet. Njëri tub i tunelit ka gjatësi prej 2 kilometrash, ndërsa tjetri është i gjatë 2 kilometra e 100 metra. Ai pret që kjo pjesë të hapet në muajt në vijim, duke mundësuar që autostrada Ohër-Kërçovë të shkojë gradualisht drejt përfundimit.
Ministri e cilësoi autostradën Kërçovë-Ohër si sfidën kryesore me të cilën përballet Ministria. Ai tha se rreth 80 përqind e kohës dhe energjisë shpenzohen për aksin Ohër-Kërçovë, kurse 20 për qind për të gjitha projektet e tjera. Sipas tij, problemet e shumta të trashëguara kërkojnë angazhim të përditshëm, por rezultatet tashmë kanë filluar të shihen.
Duke folur për investimet kapitale në përgjithësi, Nikolloski deklaroi se transporti dhe ndërtimi përbëjnë shtytësit kryesorë të zhvillimit ekonomik. Si dëshmi për këtë, ai përmendi rritjen dyshifrore të sektorit të ndërtimit në të gjitha kuartalet.
Aktualisht, vetëm nëpër komuna janë hapur mbi 1200 kantiere ndërtimi për projekte të financuara nga Qeveria. Nikolloski shtoi se në shtet po ndërtohen paralelisht gjashtë autostrada, diçka që, sipas tij, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e vendit. Krahas kësaj, po punohet intensivisht në Korridorin hekurudhor 8, po zhvillohen përgatitjet për nisjen e punimeve në Korridorin hekurudhor 10 dhe po realizohen investime në aeroporte. Ai vlerësoi se të gjitha këto projekte krijojnë një pasqyrë të plotë të investimeve të fuqishme kapitale, të cilat japin kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike.
